Posta e Kosovës hap edhe një pikë të re në Leposaviq
Posta e Kosovës, më 28.04.2025, ka hapur edhe një pikë të re në Leposaviq, në objektin e rikthyer nën menaxhim të saj.
Në përurimin e hapjes së kësaj pike, e cila është e katërta në këtë Komunë, ka marrë pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi, kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës Gëzim Paci dhe kryeshefja e Postës së Kosovës Nora Rraci.
Sipas Njoftimit të Kryeministrisë, Kurti ka thënë se hapja e Zyrës së re në pronën e rikthyer është bashkëdyzim i ligjshmërisë dhe cilësisë.
“Ata Operatorët e palicensuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës, ku përveç dërgesave të zakonshme të Postës mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviqit. Ky është një lajm i mirë edhe për banorët e Komunës, por edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës.” – është shprehur ai.
Kurti ka theksuar se dikur Posta e Kosovës ka operuar me humbje, kurse tash me kryeshefen e re Nora Rracin ajo operon me fitim dhe përveç kësaj ka shtrirje territoriale gjithandej, anekënd Komunave të Kosovës dhe përbrenda Komunave – përfshirë edhe në zonat të cilat janë më larg qyteteve dhe qytezave.
“Posta e Kosovës nuk e shikon se ku ka fitim që të ketë zyre, por ka ku qytetarë që të ketë shërbim.” – ka thënë Kurti.
Kurse, kryetari i Komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi e ka ftuar Postën që të hapë edhe pika të tjera në Komunën që ai e drejton.
E kryeshefja e Postës së Kosovës Nora Rraci ka folur për planet e Ndërmarrjes që udhëheq, për të qenë sa më të pranishëm aty ku qytetarët kanë nevojë për shërbimet e Operatorit publik, por edhe për rezultatet e zgjerimit të rrjetit të pikave të postës.
“Nëse flasim në krahasim me vitin e kaluar, kemi pasur një rritje prej 11% të numrit të zyrave postare gjithandej Kosovës. Nëse flasim për katër Komunat veriore të Kosovës, para dy vjetëve kemi pasur vetëm dy zyra në pikat kufitare, ndërsa po festojmë pikën e 13-të, që besoj që është një rezultat shumë i madh duke qenë se e kemi arritur brenda dy vjetëve.” – ka deklaruar Rraci.
Ndërsa, ministrja Rizvanolli është shprehur e lumtur me hapjen e kësaj pike të Postës së Kosovës dhe ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë Postën në zgjerimin e rrjetit të saj dhe avancimin e shërbimeve që ofron.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Posta e Kosovës me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës po zbaton programin e zgjerimit dhe modernizimit të rrjetit të saj.
Me këtë rast ZKM njofton se janë arritur 157 zyra postare aktive në të gjithë Kosovën – duke shënuar një rritje prej 11%. Në katër Komunat veriore operojnë tashmë 13 zyra postare. Është investuar në mjete të reja transporti, infrastrukturë IT dhe shërbime të reja postare dhe financiare.
ZKM shton se Posta e Kosovës ofron shërbime moderne për qytetarët – përfshirë transfere ndërkombëtare të parave, shpërndarjen e dokumenteve shtetërore dhe mbështetjen e zhvillimit të e-commerce.
Në anën tjetër objekti i Postës së Kosovës në Zveçan është riparuar dhe është futur në funksion një ditë pasi u sulmua me granata dore, më 01.04.2025.
Dega e Postës së Kosovës në Zveçan u hap më 27 mars, në të njëjtën ditë kur u hap edhe në Zubin Potok.
Në mesin e janarit Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë në disa Komuna të Kosovës, duke mbyllur dhjetëra objekte të strukturave paralele serbe – përfshirë objekte komunale, Posta e Zyra të Administratës Tatimore të Serbisë.
Përmes një komunikate ishte njoftuar se qëllimi i aksionit ishte ndërprerja e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme, që vepronin, si: Komuna, Posta, Banka etj.