LVV premton krijimin e korridoreve të gjelbra në Rrafshin e Kosovës për ta mbrojtur cilësinë e ajrit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kandidati për kryeministër i kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit, Albin Kurti, më 01.06.2026, përmes një video të publikuar në Facebook ka premtuar se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të përfundohet projekti për dyfishimin e kogjenerimit dhe ai për ngrohjen qendrore në Kastriot.

Kurti tha se do të krijohen edhe korridore të gjelbra mbrojtëse në Rrafshin e Kosovës me qëllim reduktimin e ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Nëpërmjet pyllëzimit masiv dhe krijimit të korridoreve të gjelbra mbrojtëse, do të krijohet ‘Brezi i Gjelbër Prishtinë – Kastriot – Fushë Kosovë’, me qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit dhe përmirësimit të cilësisë së mjedisit në zonën më të prekur nga ndotja” – tha Kurti në postimin e tij në Facebook.

Gjatë fjalimit, ai premtoi edhe mbylljen përfundimtare të deponisë së Mirashit për t’i dhënë fund ndotjes shumëvjeçare në këtë zonë.

Në kuadër të investimeve infrastrukturore, Kurti prezantoi planin për ndërtimin e pesë digave dhe njëzet stadiumeve, si dhe përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ngjarje e cila pritet të sjellë mijëra sportistë dhe dhjetëra mijëra vizitorë në Kosovë.

Fushata elektorale e subjekteve politike zyrtarisht ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjas deri në hapjen e Qendrave të Votimit më 07.06.2026.

Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.