Policia për aksionin ndaj strukturave paralele - thotë se ndërpreu aktivitetet e disa institucioneve të jashtëligjshme

Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion të gjerë në disa Komuna të Kosovës, duke mbyllur dhjetëra objekte të strukturave paralele serbe – përfshirë objekte komunale, Posta e Zyra të Administratës Tatimore të Serbisë.

Përmes një komunikate, Policia njoftoi se qëllimi i aksionit ishte ndërprerja e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme, që vepronin si Komuna, Posta, Banka etj.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe në koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor – operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: DRP – Prishtinë, DRP – Gjilan, DRP – Gjakovë dhe DRP – Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme, që vepronin si Komuna, Posta, Banka etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës.” – tha Policia përmes komunikatës.

Mes të tjerash, Policia bëri të ditur se gjatë aksionit janë asistuar nga zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka asistuar zyrtarët e kësaj Ministrie, si dhe të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligjshme të këtyre institucioneve.” – bëri të ditur Policia.

Sipas Policisë të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe në koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga gjetjet do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe në koordinim me organet e Drejtësisë.

Por, Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate për media, më 15.01.2025, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve nga ana e Policisë në disa lokacione, për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele.

Prokuroria e Prishtinës konfirmon se nuk qëndron prapa bastisjeve në objektet e strukturave paralele

Tutje, përmes komunikatës, u bë e ditur se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, si dhe nuk është ofruar kurrfarë prove para Prokurorit të Shtetit në mënyrë që të krijohet dyshimi se është duke u kryer ndonjë vepër penale, e cila bie në kompetencën e Prokurorisë Themelore.

Prokuroria e Mitrovicës pret kërkesën e Policisë për bastisjet në rajonin e Mitrovicës