Policia planifikon t`i shpenzojë në 2024-ën 21.7 milionë euro në autoblinda, armë, depo municioni dhe investime tjera
Shpenzimet për investime kapitale që shteti realizoi për Policinë e Kosovës në vitin aktual 2023 kalojnë shumën e 54.86 milionë euro, ndërsa me investime pritet të vazhdohet edhe në vitin që vjen, vlera e tyre kalon 21.7 milionë euro.
Pjesa më e madhe e investimeve, në vlerën e 14.24 milionë euro apo 66 për qind e buxhetit për Policinë, pritet të bëhet për automjete të blinduara dhe automjete të veçanta, armë dhe pajisje speciale të PK-së, pajisje dhe armë për kontroll dhe siguri kufitare, automjete transporti dhe pajisjet policore – logjistike.
Investime në vlerë 3.75 milionë euro apo 17 për qind e mjeteve parashihen të realizohen në ndërtime si: Ndërtimi i depove për armë, municione dhe rezevuarë nafte nëpër Drejtoritë rajonale të PK-së, pastaj ndërtime dhe renovime për nevojat e Policisë së Kosovës.
Shteti duket se ka menduar edhe në fushën e komunikimit dhe të IT-së për policët. Investimi për këtë fushë është paraparë të jetë 2.62 milionë euro ose 12 për qind e buxhetit do të shpenzohen në pajisje për sistemin e komunikimit, pajisje të TIK-ut, softuerë dhe siguria e të dhënave.
Janë edhe 1.1 milion euro të tjera apo 5 për qind janë investime konfidenciale, për të cilat nuk është bërë i ditur destinimi.
Ndryshe, Buxheti i Kosovës për vitin 2024 është 3 miliardë e 314 milionë euro.
Kështu kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë e cila u mbajt me pikën e vetme të rendit të ditës mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Në senancën e Kuvendit të Kosovës, të enjten e kaluar, Projektligji për buxhetin për vitin 2024 u miratua në lexim të parë pas më shumë së 10 orëve diskutime.
Ndërsa, tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës u larguan nga salla e Kuvendit pas mbylljes së diskutimeve për këtë projektligj.
Deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së nuk morën pjesë në votimin në parim të këtij Projektligji.
Partitë opozitare nuk marrin pjesë në votimin në parim të buxhetit për vitin 2024