Partitë opozitare nuk marrin pjesë në votimin në parim të buxhetit për vitin 2024

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës janë larguar nga salla e Kuvendit pas mbylljes së diskutimeve për Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së nuk morën pjesë në votimin në parim të këtij Projektligji.

Projektligji për buxhetin për vitin 2024 u miratua në lexim të parë sot, pas më shumë së 10 orëve diskutim në Kuvendin e Kosovës.

Të pranishëm në votim ishi 62 deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Gjatë ditës deputetët opozitarë kanë kritikuar Qeverinë lidhur me ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Ndërsa pati edhe debat mes tyre dhe ministrave të kabinetit qeveritar lidhur me këtë çështje.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se në tri vite qeverisje të kryeministrit Albin Kurti nuk është realizuar asnjë projekt madhor.

Kurse, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtshtaku deklaroi se partia e tij është kundër këtij buxheti që, sipas tij, nuk sjell alternativë zhvillimore.

“Ne si grup parlamentar nuk do të përkrahim projektbuxhetin e vitit 2024, jemi kundër këtij buxheti që nuk sjell asnjë alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies qytetare”- tha Lushtaku.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që në buxhetin e vitit të ardhshëm të përfshijë një  “pako për rininë”, që ata të mos largohen nga vendi pas liberalizimit të vizave në janar.

Kryeministri Albin Kurti e ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit ndarjet buxhetore për buxhetin për vitin 2024, i cili parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Buxhetin e vitit të ardhshëm, Kurti e ka quajtur buxhet të mbrojtjes e sigurisë.

Ai ka thënë se për Ministrinë e Mbrojtjes janë paraparë 153 milionë euro ndërsa për Ministrinë e Punëve të Brendshme 216 milionë euro.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Ky buxhet është mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e këtij viti.