Policia jep detaje rreth bastisjes në Zveçan

Policia e Kosovës ka kapur në Zveçan material që dyshohet se përdorej në kohën e barrikadave nga dy organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” kundër Policisë së Kosovës.

Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, thasët me rërë janë gjetur në një objekt publik në këtë komunë.

“Policia e Kosovës ka pranuar informacione se në një objekt publik në Komunën e Zveçanit, ka disa gjëra materiale të cilat janë shfrytëzuar nga grupet terroriste serbe në kohën e barrikadave”- tha Elshani për KALLXO.com.

Elshani ka theksuar se gjatë kontrolleve në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetëra thasë të mbushur me rërë që sipas tij,  :kanë qenë si istikame për ta sulmuar Policinë dhe se sipas tij, objekti publik është shfrytëzuar nga pjesëtarët e organizatave terroriste si ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut'”.

“Sot, gjatë kontrolleve që ka bërë policia ka konstatuar se në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetëra thasë të mbushur me rërë që kanë qenë si istikame për ta sulmuar Policinë dhe në mbrojtje të barrikadës dhe kontrollimit të rrugës kryesore që të dërgon në Zveçan. Ky objekt publik është shfrytëzuar nga pjesëtarët e organizatave terroriste si ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut”- tha ai.

Zëvendësdrejtori u shpreh se kjo është dëshmi që “grupet kriminale kanë qenë të armatosur rëndë dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës në rast se ata do të tentonin t’i largonin barrikadat”.