Ilustrim

Policia: Gjatë arrestimit të të dyshuarit në Leposaviq një polic pësoi lëndime

Të premtën është raportuar se një i dyshuar është arrestuar për sulm ndaj gazetarëve të KALLXO.com, në Leposaviq.

Në raportin e sotëm policor thuhet se i dyshuari gjatë arrestimit ka rezistuar dhe lëndime trupore ka pësuar një zyrtar policor.

Me vendim të prokurorit, sipas organeve të rendit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Rasti po trajtohet “pjesëmarrje në turmë dhe huliganizëm”.

Dje, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar, Nemanja Vllaskoviq për sulmin ndaj ekipit të KALLXO.com në Leposaviq.

Po ashtu edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit për sulm ndaj gazetarëve.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar i cili me datë 29 maj 2023 në Leposaviq, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve. Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Gjithashtu, të premtën, nëntë gazetarë u sulmuan në Leposaviq, sipas njoftimit të Policisë.

Me 29 maj, vetura e ekipit të KALLXO.com ishte sulmuar në Leposaviq. Veturës ishte dëmtuar gomat dhe u ishin vizatuar grafite nacionaliste serbe.

Ndërsa më 30 maj, në afërsi të objektit të komunës së Leposaviqt një grup i gazetarëve, përfshi edhe ekipin e KALLXO.com ishin sulmuar nga disa persona të maskuar.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën (13.06.2023) nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut. Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.