Arrestohet i dyshuari për sulmin fizik ndaj gazetarëve të KALLXO.com në Leposaviq

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka njofutar se është arrestuar një person i dyshuar, Nemanja Vllaskoviq për sulmin ndaj ekipit të KALLXO.com në Leposaviq.

“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë. Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë” – ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Po ashtu edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit për sulm ndaj gazetarëve.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar i cili me datë 29 maj 2023 në Leposaviq, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve. Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Me 29 maj, vetura e ekipit të KALLXO.com ishte sulmuar në Leposaviq. Veturës ishte dëmtuar gomat dhe u ishin vizatuar grafite nacionaliste serbe.

Ndërsa më 30 maj, në afërsi të objektit të komunës së Leposaviqt një grup i gazetarëve, përfshi edhe ekipin e KALLXO.com ishin sulmuar nga disa persona të maskuar.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën (13.06.2023) nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.

Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.

Tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.

Shënim: Artikulli është edituar duke i shtuar detaje të sulmit ndaj ekipit të KALLXO.com.