Screenshot: Novosti.rs

REL: Paraburgim për tre policët e arrestuar

Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.

Tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.

Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

Tre policët u morën të premten në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë.

Ky institucion nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë akuzash rëndojnë mbi ta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

“Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara”, tha ai.

“Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, shtoi Kurti.

Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet ta dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999./REL