Policia në Londër | Foto: City of London Police

Policia britanike ndalon marshin pro-iranian në Londër shkaku i “tensioneve ekstreme”

Policia britanike ka njoftuar ka ndaluar një marshim pro-iranian që do të zhvillohej në Londër të dielën, duke përmendur mundësinë e “tensioneve ekstreme” me kundërprotestuesit dhe rrezikun që paraqet Teherani gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme, ka raportuar të mërkurën (11.03.2026) Reuters.

Marshimi “Al Quds” në Londrën qendrore organizohet çdo vit nga Komisioni Islamik i të Drejtave të Njeriut, për të cilin policia ka thënë se mbështet regjimin iranian.

Pragu për ndalimin e një proteste është i lartë në Britani, derisa policia thotë se është hera e parë që kjo kompetencë është përdorur pas 14 vjetësh, por rreziqet e kaosit publik janë “kaq të rënda” sa është e drejtë që ta ndalonte. Ndalimi vlen edhe për çdo marshim kundërproteste.

Komisioni Islamik i të Drejtave të Njeriut ka thënë më parë në X se marshimi do të mbahej në mbështetje të çlirimit të Palestinës.

Policia ka bërë të ditur se marshimet e mëparshme “Al Quds” kanë rezultuar me arrestime për mbështetjen e organizatave terroriste dhe krimeve të urrejtjes antisemite dhe ka thënë se edhe me ndalimin në fuqi, policia po përballet me një “fundjavë sfiduese dhe potencialisht të dhunshme”.

“Ne kemi marrë në konsideratë ndikimin e mundshëm në protesta të situatës së paqëndrueshme në Lindjen e Mesme, me regjimin iranian që sulmon aleatët britanikë dhe bazat ushtarake jashtë shtetit” – thuhet në deklaratën e policisë të publikuar të martën vonë.

“Ne gjithashtu duhet të marrim në konsideratë se shërbimet e sigurisë kanë qenë publikisht të qarta lidhur me kërcënimet me të cilat po përballemi në tokën e Mbretërisë së Bashkuar nga regjimi iranian”.

Policia britanike është përballur me shqyrtim të rreptë të trajtimit të protestave të rregullta dhe të mëdha pro-palestineze në Londër që nga sulmet e 7 tetorit 2023 nga “Hamasi” ndaj Izraelit, me mbështetës dhe kundërshtarë me mosmarrëveshje mbi të drejtën e fjalës së lirë, mbështetjen e treguar për një grup të ndaluar dhe ndikimin në komunitetin hebraik.

Policia britanike ka arrestuar javën e kaluar katër burra me dyshimin se kanë ndihmuar shërbimet e inteligjencës së Iranit të kryejnë mbikëqyrje të njerëzve dhe vendeve të lidhura me komunitetin hebraik në Londër.

Nëse Komisioni Islamik i të Drejtave të Njeriut do të vazhdojë me tubim statik, të cilin nuk ka ligjqë e ndalon, policia ka thënë se do të vendoset nën kushte të rrepta.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com