Polemika mes Besnik Tahirit dhe Besnik Bislimit për projektligjin e KPM-së

Besnik Tahiri nga AAK-ja, në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku po diskutohet Projektligji i KPM-së ka thënë se në esencë Qeveria me këtë projektligj po mundohet thellësisht t’i kontrollojë mediat.

Ai tha se edhe nga organizatat profesionale që merren më këtë çështje ky projektligj shihet si tendencë e shtetit për t’i kontrolluar mediat.

Projektligji, ndër tjera parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së në 11 si dhe zgjatjen e mandatit të tyre.

Lidhur me këtë, Tahiri e pyeti Bislimin se pse përmes së rritjes së numrit të anëtarëve të KPM-së, po tentohet të “bëhet llugë”, ndërsa Bislimi iu përgjigj duke thënë se numri 11 ka qenë produkt i diskutimeve.

Bislimi iu përgjigj edhe deputetit tjetër Isak Shabani, pasi ky i fundit, paralajmëroi se nëse ky projektligj nuk dërgohet në Komisionin e Venecias, atëherë atë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se “nuk bënë që Gjykata Kushtetuese të vishet me kompetenca që nuk i takojnë”.

“Tash ajo (GjK) po e cakton edhe koeficientin e pagave, por duhet me ditë se ku fillon dhe ku mbaron kompetenca e Gykatës Kushtetuese” – tha Bislimi.

Ai theksoi se me anë të këtij projektligji po vendoset rregull në mediat online si dhe konkurrencë e shëndoshë midis gjithë pjesëmarrësve në treg.

Kurse sa i përket opinionit se Qeveria po mundohet t’i kontrollojë mediat, Bislmi kërkoi t’ia shpjegonin hap pas hapi se si po tenton Qeveria po tenton ta bëjë një gjë të tillë.

“Me mujtë vec me ma shjegu qet projektligj hap pas hapi se si po tenton qeveria me i vu nën kontroll median. Çka na intereson neve me i marrë nën kontroll- nëse nesër vini ju në pushtet atëherë i keni ju” – pyeti Bislimi anëtarët e Komisionit.

Ai shtoi se duhet t’i iket narrativës që mediat t’i shohim si “gjynah”.

“Duhet me i ikë asaj narrative ku mediat i shohim si gjynah- mediat janë ndërmarrës. Ndërmarrësi kurrë nuk është për me të ardhë keq. Nuk janë të detyruar me i hapë mediat. E bëjnë me vëtëdëshirë. Me pas qenë ndërmarrës i mirë kisha qelë media, kisha ba ma shumë pare, mirëpo nuk jam dhe kam vendos me punu për rrogë” -tha Bislimi para Komisionit.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji nga ana e zv.kryeministrit Bislimi, u tha se ky dokument është në harmoni me direktivat e BE-së dhe si i tillë  garanton treg medial të shëndoshë, konkurrencë dhe kushte të barabarta për të gjithë.

Bislimi foli edhe për pronësinë e mediave duke thënë se janë shkaktuar dëme të mëdha për shkak të mungesave të rregullativave që e rregullojnë pronësinë e mediave.

“Kemi qenë dëshmitarë të dëmeve nga mungesa e rregullave që kërkojnë transparencë për pronësinë e mediave. Transparenca në pronësinë  e medias është e lidhur me të drejtën e shprehjes.” – shtoi ai.

Ky projektligj mes tjerash synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i KPM-ja. Për këtë arsye ka marrë kritika të shumta nga organizata të punës së mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, më 3 shkurt është transmetuar emisioni në të cilin u diskutua për këtë projektligj.

Valon Ramadani, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili është kryetar i Komisionit, i ftuar në këtë emision kishte thënë se ndjehet i gëzuar se ka shkuar ky projektligj në Kuvend dhe se AGK dhe KMSHK kanë bërë disa huqje.

“Po flasim për lajmin kryesor, për ligjin për KPM-në. Unë jam i gëzuar që më 15 janar ka ardhur projektligji për KPM-në, ky ligj është në harmoni me direktivën dhe është direktivë e Bashkimit Evropian”- kishte thënë Ramadani.

Sipas Ramadanit, AGK dhe KMSHK kanë bërë disa huqje gjatë konferencës për media. Ai tha se mediat nuk do të licencohen sipas ligjit të ri por do të regjistrohen vullnetarisht.

Ndryshimet lidhur me projektligjin në fjalë mund t`i lexoni duke klikuar këtu.