Komisioni i Pavarur per Media/KPM

Ligji i ri për KPM-në synon të vë rregull në videot e mediave online

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Ndryshimi sipas Propozim-Ligjit është bërë në kuadër të Direktivës Evropiane 2010/13/EU për Shërbimet Mediale Audio-Vizuele dhe Direktivën (EU) 2018/1808.

Ky projektligj i dorëzuar më 27 dhjetor të vitit 2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Me këtë, KPM-së i duhet të dijë nëse aplikuesi për licencë ka masa ndëshkimore apo detyrime të pashlyera.

Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).

Drafti parasheh edhe akt nënligjor për rregullimin më të detajuar të mbrojtjes së fëmijëve dhe të miturve, krahas detyrimit që ka aktualisht KPM-ja që të ndërmarrë masa të duhura në mbrojtjen nga dëmtimi serioz i zhvillimit fizik, mendor dhe moral të të miturve, veçanërisht ndaj programeve me përmbajtje pornografike ose dhunë ekstreme.

Në kuadër të llojeve të lejeve që KPM-ja mund të lëshojë, është edhe ajo për platformat e shpërndarjes së videove, duke i detyruar të njëjtat që të miratojnë edhe kode të etikës.

Drafti në fjalë, në kuadër të masave mbrojtëse parasheh edhe krijimin e sistemeve për verifikimin e moshës për përdoruesit në lidhje me përmbajtjen që mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor ose moral të të miturve.

Rregullimi i pronësisë së mediave

Përpos kontrollit të prodhimeve audiovizuele në online ligji synon të rregullojë edhe çështjet e deklarimit të pronësisë dhe çështjet e ndryshimit të pronarëve të platformave të video materialeve dhe mediave online të regjistruara.

Ligji parasheh që platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të publikojnë transparencën e pronësisë dhe përfituesit e fundit.

Në këtë situatë këto subjekte do obligohen të tregojnë që kush janë pronarët finalë të tyre.

Po ashtu ligji parasheh ndalesa për koncentrimin e pronësisë në mediat e licencuara.

Kjo i hapë rrugë ndalesave që një pronar të ketë monopol apo disa media në pronësi njëherësh.

Përpos kësaj ligji ka paraparë rregulla që ndalojnë shitjen dhe blerjen e mediave pa lejen e KPM-së. Sipas ligjit, çdo ndryshim i pronësisë mbi 10% të pronësisë së mediave përfshirë platformave për shpërndarjen e video-materialeve të licencuara duhet të miratohet nga KPM-ja.

Tutje, me këtë draft, KPM-ja është e obliguar të kërkojë nga subjekti deklarimin e burimit të financimit dhe përfituesit fundorë, e njëkohësisht ka edhe obligim që të dhënat që dorëzohen të njëjtat t’i verifikojë. Gjatë procesit të aplikimit, KPM-ja merr parasysh edhe prejardhjen dhe shkallën e burimeve financiare të aplikuesit; prejardhjen e burimeve financiare të aksionarëve, listën e përfituesve të fundmë, identitetin dhe prejardhjen e aksionarëve.

Kush mund të jenë pronarë të mediave?

Përtej ligjit, akti nënligjor i KPM-së “Rregullorja e KPM-së për Dhënie të Licencës” rregullon tërësinë e obligimeve që të licencuarit duhet t’i përmbushin me rastin e aplikimit për licencim nga KPM-ja.

Ligji i ri parasheh ndalesa për individët dhe bizneset që i nënshtrohen licencimit.

Drafti i ri parasheh që leja nuk do t’i jepet  personit juridik i cili menaxhohet apo ka si aksionar një individ, i cili është i dënuar në një procedurë të zhvilluar në përputhje me standardet ndërkombëtare, për krime kundër njerëzimit, krime lufte, krime që kanë të bëjnë me dhunë, korrupsion, krim i organizuar apo mashtrime.

Tutje, ky projektligj parasheh edhe detyrimin për subjektet transmetuese që të vendosë në dispozicion marrësit të shërbimeve informacione që ndërlidhen me strukturën e pronësisë dhe pronarët përfitues.

Në ndarjen e informacioneve të tilla, drafti parasheh respektim të jetës private dhe familjare të pronarëve përfitues.

Një risi tjetër që parasheh ky draft, në raport me ligjin aktual i cili është në fuqi është edhe tek pjesa e raportimit vjetor  të subjekteve transmetuese ndaj KPM-së.

Sipas ligjit aktual,  të licencuarit kanë detyrim të raportojnë lidhur programin dhe veprimin në përputhje me kushtet e licencës së bashku me një raport financiar të detajuar.

Risia është që ky raport financiar duhet të jetë i audituar nga një auditor i jashtëm i pavarur.

Ky draft ka paraparë edhe një rregullim më specifik dhe të klasifikues sa i përket pjesës së gjobave që shqipton KPM-ja.

Sanksionet për shkelësit

Ligji aktual parasheh një kufi prej jo më pak se 1 mijë euro dhe jo më shumë se 100 mijë euro, në rastet e shkeljeve të kushteve të licencës, kodit të sjelljes dhe akteve tjera juridike.

Kurse, drafti klasifikon rastet e veçanta dhe shumën e veçantë për secilën shkelje, e për më shumë parasheh edhe dyfishim të gjobës, e cila mund të shkojë deri në 40 mijë euro.

  1. 500 – 4.000 euro kur personi fizik operon pa leje nga KPM-ja
  2. 500 – 20 mijë euro kur personi juridik kryen shkelje të detyrimeve

Gjoba prej 500-20 mijë euro, sipas draftit mund të dyfishohet ndaj subjektit juridik në rastet kur personi kryen në mënyrë të përsëritur këto shkelje:

a) Kur në mënyrë të përsëritur shkakton interferenca të dëmshme ndaj një subjekti tjetër;

b) Transmeton ose ritransmeton përmbajtje që nxisin urrejtje, dhunë dhe trazira;

c) Transmeton ose ritransmeton përmbajtje që cenon rendin dhe sigurinë publike

d) Transmeton, ritransmeton ose shpërndan në mënyre ilegale të përmbajtjeve programore

e) Nuk dorëzon në afat raportin vjetor në KPM.

Sipas draftit me rastin e shqiptimit të gjobave, KPM-ja merr parasysh qëndrueshmërinë financiare të subjektit, rrethanat lehtësuese/rënduese, kohëzgjatjen e shkeljes dhe nivelin e dëmit të shkaktuar nga shkelja.