Projektligji i ri për KPM-në, deklarohet zëvendëskryeministri Bislimi

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në mbledhjen e sotme është duke shqyrtuar në parim Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

Ky projektligj mes tjerazsh synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i KPM-ja. Për këtë arsye ka marrë kritika të shumta nga organizata të punës së mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Prezantimin e këtij projektligji në këtë mbledhje është duke e bërë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi i cili tha se ky projektligj është në harmoni të plotë me direktivën e Bashkimit Europian për Mediat dhe sipas tij, siguron mjedis konkurrues dhe kushte të barabarta për secilin shërbyes të produketeve mediale.

“Është e pashmangshme të bëjmë një mjedis konkurrues, kushte të njëjta për secilin shërbyes të produkteve mediale. Është e qartë që duhet të sigurojmë rregulla që sigurojnë konkurrueshmëri”- tha Bislimi.

Ai foli edhe për pronësinë e mediave duke thënë se janë shkaktuar dëme të mëdha për shkak të mungesave të rregullave që rregullojnë pronësinë e mediave.

“Kemi qenë dëshmitarë të dëmeve nga mungesa e rregullave që kërkojnë transparencë për pronësinë e mediave. Transparenca në pronësinë  e medias është e lidhur me të drejtën e shprehjes.” – shtoi ai.

Në KallxoPernime, më 3 shkurt është transmetuar emisioni në të cilin u diskutua për këtë projektligj.

Valon Ramadani, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili është kryetar i Komisionit që do ta trajtojë sot këtë çështje, i ftuar në këtë emision kishte thënë se ndjehet i gëzuar se ka shkuar ky projektligj në Kuvend dhe se AGK dhe KMSHK kanë bërë disa huqje.

“Po flasim për lajmin kryesor, për ligjin për KPM-në. Unë jam i gëzuar që më 15 janar ka ardhur projektligji për KPM-në, ky ligj është në harmoni me direktivën dhe është direktivë e Bashkimit Evropian”- kishte thënë Ramadani.

Sipas Ramadanit, AGK dhe KMSHK kanë bërë disa huqje gjatë konferencës për media. Ai tha se mediat nuk do të licencohen sipas ligjit të ri por do të regjistrohen vullnetarisht.

Ndryshimet lidhur me projektligjin në fjalë mund t`i lexoni duke klikuar këtu.