Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së - Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Rexha: Ndryshimet e propozuara për Ligjin e KPM-së, përpjekje e qeverisë për t’i kontrolluar mediat online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka thirrur sot konferencë të jashtëzakonshme në lidhje me ndryshimet e propozuara për Ligjin e ri të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha  i ka quajtur këto propozime përpjekje të qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Rexha tha se kjo është sulm ndaj lirisë së mediave.

“Arsyeja kryesore e kësaj konference është Ligji i ri për KPM-në ku po i bëjmë publike vërejtjet dhe kundërshtimin tonë. Ndryshimet do të kenë efekte negative tek mediat. Ndryshimet që janë propozuar i shohim përpjekje të qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove. Kjo është një sulm ndaj lirisë së mediave dhe ne mendojmë që vetërregullumi është forma e vetme e duhur. Ftojmë qeverinë që t’i ftojë mediat dhe OJQ-të për të diskutuar” – tha ai gjatë konferencës.

Në anën tjetër, juristja e medias, Flutura Kusari tha se përmes Projektligjit për KPM, Qeveria e Kosovës po sulmon lirinë e mediave në vend.

“Çfarë kemi parë deri më tani është iniciativa e Zyrës së Kryeministrit për të kontrolluar mediat. Është sulmi i radhës ndaj mediave. Projektligji është vazhdimësi e qasjes armiqësore e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, ndaj mediave dhe gazetarëve dhe tentativës së vazhdueshme për t’i disiplinor ato”- deklaroi ajo.

“Nëse shikohet se çfarë propozime ka në projektligjin për KPM-në atëherë shohim se për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyra e rregullimit të mediave online që publikojnë video, ne e dimë që të gjitha publikojnë pra do të kaloj nga sistemi i vet rregullimit në rregullimin shtetëror duke i detyruar ato të licencohen”- tha ajo.

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Ky projektligj i dorëzuar më 27 janar të vitit 2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).

Ligji i ri për KPM-në synon të vë rregull në videot e mediave online