Mungesa e strehimores, qentë endacakë vërshojnë në fshatin Sankoc - VIDEO

“Ka jam ardh sot të shkolla ka pas shumë (qen) nja pesë a gjashtë, na kanë njek deri qitu këna ardh tu na njek”

Për shkak të qenve endacakë, fëmijët që vijojnë mësimin në fshatin Sankoc të Drenasit po ndihen të rrezikuar rrugës nga shtëpia deri tek oborri i shkollës.

Nga frika prej tyre, rrugën deri në shkollë nxënësit detyrohen gjithmonë ta bëjnë të shoqëruar nga familjarët.

Kryetari i fshatit Sankoc, Kadri Ajazi, thotë se banorët kanë siguruar paratë për transportin e nxënësve në mënyrë që mos t’u rrezikohet jeta.

“Si banorë të fshatit jemi organizu që t’i bartim me një kombi nxënësit për shkak që të mos rrezikohen prej qenve e mos të shkojnë rrugëve sepse është e largësia e madhe, diku tre kilometra, ka lagje edhe më të largëta. Ata që barten më përpara, tjerët duhet një grup tjetër e duhet t’i presin fëmijët këtu dhe nuk guxojnë të hecin në këmbë sepse u rrezikohet jeta prej qenve”, tha ai. 

Ajazi theksoi se për ketë problem të kamotshëm disa herë i është drejtuar me kërkesë Komunës së Drenasit.

Sipas qytetarit tjetër, Avni Miftari, para disa ditësh djali i tij ishte sulmuar nga qentë teksa po lozte në oborr.

“Para do dite në oborr temin, fëmija ka qenë duke lozur në oborr me top edhe e kanë ndjek (qentë), e po frikësohen tash edhe me dal jashtë. Në mbrëmje nuk jemi të lirë për me dalë. Në mëngjes është shumë rrezik, e në shkolla duhet me i çu në shkolla vetë”, u shpreh ai. 

Miftari thotë se duhet të ndërtohet një strehimore për qentë endacakë. Ai është kundër vrasjes së tyre.

“Taksat tona  i paguajmë, ata ëkomuna] duhet të kujdesen për ta ëqentë] nuk është nevoja me i vra, se nuk është njerëzore ajo, mirëpo mujnë me ba një strehimore për qentë edhe me u kujdes për ta”, shtoi ai.

Kurse, Hajriz Gjoshit qentë endacakë nuk po ia lënë rehat as shpezët shtëpiake.

“Kemi problem se po i hanë edhe pulat e qurat, veç mu për një ditë m’i ka hangër 20 qura edhe një quran, edhe pula, qashtu pa hesap. Apet këto nashtë, po na po kemi problem edhe fëmijtë më i lanë me shku në shkollë. Janë ba shumë (qen)”, u shpreh ai. 

Komuna e Drenasit në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ankesa nga qytetarët të natyrës se tillë kanë pasur në vazhdimësi  dhe kanë kërkuar nga kompania e kontraktuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të reflektojë për një angazhim më të mirë.

“Edhe pse që nga viti 2018, projeki është duke u implementuar nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit dhe rreziku nga qentë endacakë po vazhdon të jetë permanent. Andaj si Komunë nuk na lejon ligji për një projekt të natyrës së njëjtë, sepse projekti është duke u implementuar nga niveli qendror. Si drejtori, me kohë e kemi lajmëruar në faqe te Komunës dhe ne stacionin e Policisë në Drenas emrin e operatorit, me qëllim që qytetarët të kenë qasje me të lehtë për adresimin e problemit dhe kërkesave e ankesave të tyre”, thuhet në përgjigjen e tyre elektronike. 

Ndërsa, Florian Mulaj, i cili është përfaqësues i kompanisë së kontraktuar “Veterinari”, nuk beson që qentë të cilët janë të trajtuar nga ta janë të tërbuar.

“Ne kemi lejen nga AUV që kapja e qenve të bëhet në të gjithë regjionin 01, pas kapjes bëhet operimi (Kastrim/Sterilizim) dhe e kemi pasur të obliguar vaksinimin dhe mbajtjen e tyre për një afat të caktuar kohor, për arsye që gjatë kësaj kohë të jenë nën mbikëqyrje të veterinarit përgjegjës të klinikës tonë. Pas kësaj periudhe kohore, kemi pasur obligim që qentë të lirohen në po ato vende që janë kapur. Ne komunën e Drenasit kanë qenë te kontraktuara nga AUV  3 subjekte veterinare, dy që gjinden në Komoran dhe e imja në Drenas. Gjithashtu të gjithë qentë e trajtuar kemi qenë të obliguar t’i vaksinojmë me vaksinë kundër tërbimit, kështu që nuk besoj që mund të kenë qen të tërbuar”, ka thënë Mulaj.

 

uar”, ka thënë Mulaj.