Qentë Endacakë Mësyjnë Drenasin

Dy fëmijët e Agron Bylykbashit, vajzën shtatë vjeçare dhe djalin tre vjeçar, ishin preja e ditës së premte, e qeneve endacakë në komunën e Drenasit.

Ata u sulmuan derisa ishin duke luajtur në oborrin e tyre. Gjithë ngjarjen e kishin filmuar kamerat e sigurisë.

Qytetarët e Drenasit çdo ditë po ndihen të rrezikuar nga qentë endacakë. Në këtë qytet numri i kafshimeve nga këta qen, çdo muaj shkon në pesë persona e më shumë.

Agron Bylykbashi, banor në qytetin e Drenasit, thotë se ai nuk mund t’i lë fëmijët as në shkollë për të shkuar vetëm, si shkak i rrezikimit nga qentë endacakë.

Ai madje as deri në oborr nuk ndihet i sigurt që t’i lërë ata të luajnë vetëm.

“Më 29 maj, kanë qenë fëmijët duke luajtur këtu dhe qentë kanë ardhur në shpejtësi, në flagrancë. Kanë qenë dy qen dhe fatmirësisht ka qenë gruaja jashtë dhe i ka shpëtuar. Shpesh ndodh që të sulmohen, e kam edhe një incizim se si një grua këtu e kanë sulmuar, por edhe fëmijët edhe banorët e lagjes ndodh që shumë shpesh të sulmohen nga qentë endacak”.

Sipas tij, koha e mbrëmjes dhe e mëngjesit është edhe koha kur më së shpejti ka raste kur edhe ndodhin rastet e sulmeve nga qentë endacak.

Një gjë të tillë e thonë edhe nga infermierët nga Emergjenca e Komunës së Drenasit. Ata thonë se çdo muaj duhet të trajtojnë raste të tilla që për ta janë shqetësuese.

“Gjatë një muaji në komunën e Drenasit ndodhin nga katër deri në pesë raste të kërkojnë ndihmë mjekësoret prej kafshimeve nga qentë endacakë. Janë shqetësuese, katër deri në pesë raste janë shqetësuese, sepse është numër bajagi i madh”, tha infermieri Hysni Neziri.

Sipas Nezirit, disa raste kanë ndodhur edhe para Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe problemet me qentë endacakë të vetë stafit mjekësor janë të shumta.

Një gjendje të tillë e pranojnë edhe vetë zyrtarët e Komunës së Drenasit.

Ata thonë se janë të vetëdijshëm se gjendja e rrezikimit të banorëve e sidomos e fëmijëve nga kafshimi i qeneve endacakë është shqetësuese, dhe se në këtë drejtim, tani kanë filluar të marrin masa.

Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit tha se kanë angazhuar një kompani që këtë vit të merret me përkujdesjen ndaj qeneve endacak, si dhe zbutjen e tyre.

Ndërsa vitin e ardhshëm pritet të merren masa të reja.

“Ankesa ka të vazhdueshme, numër të saktë nuk kemi, por ka ankesa dhe kërkesa të vazhdueshme nga banorët, dhe vitin e ardhshëm kemi planifikuar në buxhet që të ndërtohet një qendër e tyre, ku do të mbahen qentë endacak”, tha Dobra.

Sipas zëdhënësit, projekt i tanishëm mund të jetë i dështuar sepse ai bën trajtimin e tyre, por prapë ata qen mbeten në rrugë dhe mund të paraqesin rrezik për qytetarët.

“Ndërsa me projektin e ri, për të cilin është bërë edhe planifikimi, janë caktuar edhe kostot financiare; do të ndërtohet diku në periferi të qytetit ku do të strehohen qentë endacakë”, shpjegoi ai.

Deri me tani autoritetet shtetërore nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e tyre.

Numri i qenve endacakë në Kosovë sillet deri në rreth 9 mijë, bazuar në një përmbledhje që Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve i bëri punëtorisë së mbajtur në Bukuresht prej datave 17 deri më 29 qershor 2014.

Raste të rrezikut nga qentë endacakë kanë ndodhur në vazhdimësi dhe një numër i madh i qytetarëve ka lajmëruar policinë për këtë rrezik.

Zyra për Media e Policisë së Kosovës pati deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se rastet më të shpeshta raportohen në rajonin e Prishtinës.

Vetëm në Komunën e Prishtinës, sipas policisë, gjatë vitit 2014 janë regjistruar 10 raste të sulmeve nga qentë endacakë.

Po ashtu nga kjo komunë përveç lajmërimit të rasteve të sulmit, janë bërë 64 ankesa nga qytetarët për rrezik nga qentë endacakë.

Ankesa ka pasur edhe nga komunat tjera. Nëntëmbëdhjetë ankesa janë bërë nga qytetarë të Podujevës, 15 nga Drenasi dhe 10 ankesa nga Obiliqi.