Personalitete botërore në edicionin e dytë të Forumit WPS, të organizuar nga presidentja Osmani

Me iniciativë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Prishtinë do të organizohet edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), i cili do të zgjatë nga 14 prill deri më 17 prill 2024.

Sipas njoftimit, edicioni i dytë i Forumit fillon nesër (e hënë).

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se ky edicion do të mirëpresë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete të botës me afro 1 mijë pjesëmarrës, me qëllim të diskutimit dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe paqes.

Ky edicion mbahet në hapësirën e hotelit “Emerald”.

Ceremonia e hapjes do të zhvillohet në ora 10:00.

Para fillimit të këtij forumi, presidentja Osmani ka mbajtur më 14.04.2024 konferencë për media, ku ka thënë se temë bosht e konferencës është çështja e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Për të senzibilizuar të gjithë për dhunën seksuale gjatë luftës, në kuadër të sesionit të dytë te Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që do të mbahet në Prishtinë, do të jetë temë bosht çështja e dhunës seksuale gjatë luftës. Nesër në Prishtinë do të mblidhen më shumë se 40 shtete anembanë botës. Liderë, ekspertë, akademikë, gazetarë e përfaqësues te shoqërisë civile. Forumi është një platformë që i dedikohet fuqizimit të zërit të grave””- tha ajo.

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga 14 prill deri më 17 prill do të ketë bllokime të përkohshme apo riorientim në disa segmente rrugore në kryeqytet.

Kjo për shkak se në kuadër të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës, do qëndrojnë personalitete të ndryshme të rëndësishme nga rajoni dhe bota.