Përplasjet mes qeveritarëve të Skenderajt për pronat komunale: Ja sa paguhet qira për metër katror

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, dhe ish-kryetari Bekim Jashari janë përplasur në distancë sa i përket dhënies së pronave komunale në shfrytëzim.

Bekim Jashari ka numëruar gjatë muajit nëntor disa prona komunale që i ka liruar nga “uzurpimet” dhe më pas i ka dhënë në shfrytëzim. 

Në anën tjetër, Fadil Nura ka thënë se Jashari në kohën e tij i ka dhënë pronat me qira me një çmim shumë të lirë.

Pasi të dy kanë përmendur çmime të ndryshme, KALLXO.com i ka analizuar kontratat e nënshkruar nga Komuna e Skenderajt për të parë çmimet e dhënies së pronave me qira.

291 euro qira për 25 ari tokë

Fadil Nura, kryetari i ri i Komunës së Skenderajt, ka thënë se kompania ndërtimore “R&Rukolli” që nga viti 2008 e kishte në shfrytëzim një pronë komunale për të cilën ka paguar 3,000-4,000 euro.

“Po e marrim apostrofimin e kompanisë “Rukolli”, aty janë kanë 25 ari që janë dhanë në shfrytëzim për një afatshkurtër afër 3-4 mijë euro. Ka mujtë kur don Komuna me marrë në shfrytëzim”, ka thënë Nura. 

Përkundër insistimit të Jeta Xharrës për të kuptuar nëse bëhet fjalë për qira vjetor apo mujore, Nura nuk ka treguar nëse 3-4 mijë euro ka qenë qiraja vjetore apo mujore.

KALLXO.com i ka siguruar fletë-pagesat që janë bërë nga ana e kompanisë “R&Rrukolli” për këtë pronë me sipërfaqe 3,500 m2 në hyrje të Skenderajt në bazë të kontratës së lidhur më 13 dhjetor 2008 me Komunën e Skenderajt.

Kjo kompani po e shfrytëzonte këtë pronë për fabrikë të tullave dhe deri në kohën kur erdhi në qeverisje Bekim Jashari kishte paguar 3,501.50 euro për 1 vit apo 291.75 euro në muaj. 

Sipas asaj kontrate, pagesa duhet të bëhej në dy këste, për 6-mujorin e parë dhe të dytë, e cila duhet të kryhet deri në fund të muajit të 12-të të vitit.

KALLXO.com ka marrë një deklaratë edhe nga vetë ish-shfrytëzuesi i kësaj prone, Rrustem Rukolli. Ai ka thënë se nuk i kujtohet se si e kishin kryer pagesën e kësaj prone.

“Kjo punë ka qenë moti, kontratën e kemi lidhë ndoshta në vitin 2006 ose 2007. As që e di më këtë punë, e as që jam marrë më me të. Nuk ka qenë diçka që unë me u marrë, këto punë i ka kry kontabilisti. Në atë kohë kur e kemi marrë në shfrytëzim, ka qenë Ramadan Gashi. Por qysh e tek nuk më kujtohet se ka kalu kohë, por dokumentet po besoj janë në Komunë”, u shpreh Rukolli.  

Deklarimi i Nurës për pronën që e kishte në shfrytëzim kompania “R&Rukolli” është bërë pasi paraprakisht për të njëjtën pronë kishte folur ish-kryetari Bekim Jashari.

“Në hyrje të Skenderajt, krahu i majtë nga Prishtina, ka qenë një fabrikë e tullave. Edhe ajo e dhanë në shfrytëzim për një qira simbolike vjetore. Nuk mundem me përmend shifra, se nuk e di saktë. Aty është liru, dhe është ndërtu objekti i njësisë së ujësjellësit regjional, që është në plan me u ndërtu edhe njësisë së “Uniteti”-t të mbeturinave”, kishte thënë Jashari më 22 nëntor 2021 në “KALLXO Përnime”

Kontrata me ELKOS Group – ETC 

Kjo nuk ishte prona e vetme për të cilën Jashari e Nura kanë polemizuar nga distanca.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka folur për dhënien e një prone në shfrytëzim afatshkurtër operatorit “Elkos Group” në kohën e Bekim Jasharit. 

Bëhet fjalë për një pronë e cila ndodhet në mes të qytetit, përkatësisht në skaj të lumit “Klina” në Skenderaj.

“ETC me 72 ari është dhënë për 1,200 euro qira”, ka thënë Nura. 

Ai ka thënë se në rregulloren për dhënien e pronave në qira në të kaluarën ishte caktuar çmimi minimal apo pragu i dhënies së një metri katror në shfrytëzim të jetë 2 euro.

“Kur ka ardhë Bekimi më 2018, pragun e dhënies së pronave me qira e ka bë 5 euro për metër katror, ndërsa kjo pronë është dhënë 40 centë. Diku 14 mijë euro Komuna ka humbje”, kishte thënë Fadil Nura. 

Por, Bekim Jashari në “KALLXO Përnime” ka thënë se pikërisht këtë pronë e ka liruar nga “uzuprimi” që ishte bërë gjatë qeverisjes së PDK-së në Skenderaj. 

“Te qendra tregtare ETC, ka qenë një pronë qysh themi ne “ja kanë qitë gishtin”, që mos e prek se e jemja është. Ka qenë shëmti e qytetit prej mbeturinave. Ne e kemi dhanë përmes ankandit publik. Plani ka qenë që Komuna me ia dhanë dikujt edhe me ndërtu diçka, me bë biznes”, kishte thënë Jashari teksa po numëronte tetë prona publike që sipas tij i kishte liruar.

Sipas dokumenteve të siguruara nga KALLXO.com, kontrata mes operatorit ekonomik “Elkos Group” dhe Komunës së Skenderajt ishte lidhur më 7 qershor 2020 për dhënien në shfrytëzim të një prone me sipërfaqe prej 7,794 m2. 

Nga kjo kontratë, Komuna e Skenderajt përfiton qira mujore prej 1.257.80 euro apo 15 mijë e 39 euro në vit. KALLXO.com ka siguruar edhe dëshmi të pagesës për çdo muaj dhe të njëjtat janë konfirmuar edhe nga ekipi i Bekim Jasharit. 

“Nga kontrata me operatorin ekonomik, “Elkos Group”, për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim afatshkurtër prej 15 viteve, Komuna e Skenderajt perfiton qira mujore prej 1.257.80 euro. Po ashtu në këtë biznes janë punësuar rreth 70 punëtor si dhe pas përfundimit të kohës së shfrytëzimit prej 15 viteve nga operatori ekonomik në fjalë, objekti i ndërtuar i kalon Komunës së Skenderajt bashkë me pronën”, ka thënë ish-shefi i kabinetit të Bekim Jasharit. 

Pas rezultatëve të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, Bekim Jashari ia dorëzoi detyrën më 30 nëntor pasardhësit të tij, Fadil Nurës nga Partia Demokratike e Kosovës. 

Jashari udhëhoqi Skenderajn një mandat katërvjeçar. 

Konflikti në paqe mes ‘njerëzve të luftës’