Renovimi i gjimnazit ‘Hamëz Jashari’, Fadil Nura i reagon Bekim Jasharit

Renovimi i objektit të gjimnazit “Hamëz Jashari” ka nxitur polemika mes ish-kryetarit Bekim Jashari dhe kryetarit aktual Fadil Nura.

Duke bashkangjitur fotografitë nga një lajm, Bekim Jashari reagoi duke kritikuar mënyrën e renovimeve që janë duke u zhvilluar në objektin që mbanë emrin e babait të tij, heroit Hamëz Jashari.

Deri në vitin 2020, nxënësit e Skenderajt kanë vijuar mësimin në këtë gjimnaz në qytetin e Skenderajt. Në shtator të atij viti, nxënësit vitin e ri shkollor e nisën në një objekt të ri modern.

Jashari e quan turp gjendjen në të cilën është ky objekt. Ai thotë se qeverisja aktuale kishte plane për të rrënuar këtë objekt, por shton se ai u kishte siguruar buxhetin për renovim.

“Turp në çfarë gjendje e kanë sjellë një prej objekteve më të vjetra dhe historike të Drenicës, gjimnazin “Hamëz Jashari” në Skenderaj. Këta njerëz që nuk kanë turp dikur kishin plane për të rrënuar këtë objekt por i ndala dhe për më tepër e sigurova buxhetin për rinovimin e tij. Pushteti aktual në vend që të kujdeset për përfundimin e këtij projekti ja në çfarë gjendje e sollën atë” – ka shkruar Bekim Jashari në rrjetin social “Facebook”, të hënën.

Ndërkaq, kryetari aktual i Skenderajt, Fadil Nura reagoi sot se duke shpërndarë disa fotografi nga gjendja e mëparshme dhe aktuale e objektit.

Nura thotë se po e rikthejnë në një objekt të renovuar plotësisht, dhe sipas tij, do të jetë përsëri në shërbim të nxënësve gjimnazistë!

“Gjimnazin “Hamëz Jashari”, këtë objekt me vlera historike e gjetëm të shkatërruar e të shndërruar në WC publike për gjithë qytetin! Me punë e cila po vazhdon çdo ditë, po e rikthejmë në një objekt të rinovuar plotësisht, i cili do të jetë përsëri në shërbim të nxënësve gjimnazistë!” – ka shkruar Nura në rrjetin social “Facebook”, të martën.

Më 16 shkurt 2022, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjen me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, lidhur me rinovimin e objektit të Gjimnazit “Hamëz Jashari”.

Sipas Nurës, ky renovim kap vlerën prej 237,157.00 euro.

“Ky është hapi i fundit përpara se të fillojë puna profesionale rreth modernizimit të objektit shkollor të gjimnazit në qytetin tonë, si institucion me rëndësi të veçantë i cili, jo që është menduar të rrënohet a të lihet në harresë, por të shndërrohet në një nga objektet më moderne”- ka shkruar i pari i Skenderajt në rrjetin social “Facebook”.

Më 14 shtator 2020, nxënësit e gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj e kanë filluar vitin e ri shkollor në objekt të ri.

Në planet e ish- kryetarit Bekim Jashari, ishte që objekti që mban emrin e babait të tij të renovohet tërësisht dhe nxënësit do të kthehen përsëri në atë objekt.

KALLXO.com në një hulumtim më 1 shtator 2020 kishte publikuar edhe pamje brenda objektit të vjetër ku tregonte gjendjen e mjerueshme të saj.

Po ashtu, edhe ditëve të fundit ka pasur reagime se objekti po shkatërrohej nga qytetarët duke i thyer edhe xhamat.