Foto: KALLXO.com

Përfundon punën Forenzika, mbyllet argjendaria në Suharekë

Ekipet e Forenzikës kanë përfunduar punën në argjendarinë e cila u grabit rreth orës 16:00 në Suharekë.

Tashmë ekipet e Forenzikës janë larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa lokali është mbyllur dhe askush nuk mund të ketë qasje në të.

Ekipi i KALLXO.com gjendet në vendin e ngjarjes, prej ku raporton se tashmë edhe rruga në këtë pjesë të qytetit është hapur për qarkullim.

Deri më tani nuk ka ndonjë person te identifikuar për ngjarjen, ndërsa drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija, tha se janë katër persona që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë grabitje.

Pak orë pas grabitjes sikur në filma në Suharekë, ekipet e Policisë, Forenzika, e edhe zyrtarë nga Prokuroria e Prizrenit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të parë nga afër situatën por edhe për të mbledhur provat e nevojshme te cilat do të bëhen pjesë e dosjes penale ndaj personave të dyshuar të cilët kryen grabitjen në një argjendari.

Drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija, në një prononcim për KALLXO.com ka dhënë detaje se si ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit mes zyrtarëve të Policisë dhe personave të dyshuar për grabitjen që ndodhi sot në Suharekë.

Ai ka thënë se Policia ka pranuar informacionin për grabitje rreth orës 16:00 dhe patrulla që ka qenë afër vendit të ngjarjes i është përgjigjur rastit.

Sipas tij, ende pa dalë zyrtarët policorë nga vetura, të dyshuarit kanë gjujtur me armë në drejtim të Policisë me ç‘rast lëndime ka marrë polici që ka qenë duke drejtuar veturën.

www.kallxo.com