Pas sulmeve kriminale, Sindikata e Policisë kërkon sigurime shëndetësore e jetësore për policët

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas sulmeve të fundit ndaj zyrtarë policorë nga grupet kriminale në veri të vendit.

Përmes një njoftimi për media, Sindikata shpreh shqetësimin me rastin e incidenteve dhe sulmeve kundër Policisë së Kosovës, të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të vendit ku edhe sot është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e tyre.

“Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në të ardhmen e që kjo e pasqyron punën me rrezik për shëndetin dhe jetën e zyrtarëve policor që gjatë kryerjes së detyrave zyrtare sipas ligjit dhe autorizimeve e kanë përditshmëri gjatë 24 orë në ditë”, thuhet në komunikatë.

Sindikata e Policisë ka përmendur  edhe rastin e djeshëm të intervenimit të Policisë në një objekt banimi në Prishtinë, i kapluar nga flakët, që sipas sindikalistëve tregon përkushtimin e pjesëtarëve të Policisë në shërbim të qytetarëve, që rrezikuan shëndetin dhe jetën e tyre për të shpëtuar jetën e banorëve që gjendeshin brenda banesës që digjej.

“Këto janë rastet më të freskëta që Institucionet e Republikës së Kosovës ta kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës dhe të reflektojnë me urgjencë që ta përmirësojnë mirëqenien dhe t’ i plotësojnë kërkesat dhe nevojat për Policinë e Kosovës siç janë: Sigurimi shëndetësor dhe jetësor si dhe kushtet e punës”, thuhet në komunikatë.

Sindikata e Policisë së Kosovës, thuhet më tej në njoftim, është aktivisht duke punuar dhe ka dhënë alternativa për plotësimin e kushteve të lartcekura dhe konkretisht për sigurimin shëndetësor dhe jetësor.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi gjatë një konference të mbajtur se rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm me granatë dore dhe kallashnikov ndaj disa policëve të Kosovës.

Gjatë kësaj konference ministri Sveçla tha se në tri ditët e fundit janë realizuar katër sulme ndaj policëve të Kosovës në veri.