Pas dënimit për krime lufte në Nerodime avokati i të akuzuarit paralajmëron ankesë  në Apel

Mentor Neziri, avokati i të akuzuarit për krime lufte, Destan Shabanaj, e ka cilësuar si jo të drejtë dhe të paargumentuar dënimin e Gjykatës për klientin e tij.

Sipas tij, gjatë gjithë gjykimit asnjëri nga dëshmitarët nuk i ka vërtetuar pretendimet e Prokurorisë Speciale si dhe nuk ka pasur asnjë provë materiale në këtë rast.

“Gjatë të gjitha seancave të shqyrtimit gjyqësor nuk ka pasur asnjë dëshmitar i cili i ka vërtetuar ato veprime inkriminuese të cilat i ka paraqitur Prokuroria në akuzën e saj, e po ashtu nuk ka pasur asnjë provë materiale me të cilat do të vërtetonin se me të vërtetë Destan Shabanaj ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar”, tha avokati.

Ai shtoi se tek klienti i tij mund të shihen shumë veprime humanitare pasi që në gjendje lufte ka varrosur viktimat .

“Tek Destan Shabanaj mund të shihen shumë veprime humanitare për shkak se i njëjti edhe si pjesëtar i Policisë  së Serbisë në atë kohë aq sa ka pasur mundësi dhe aq sa ka pasur fuqi ka marrë pjesë që të njëjtit të varrosen edhe pse nuk ka qenë përgjegjës për varrosjen e tyre”, shtoi avokati.

Pas vendimit mbi dënimin avokati Neziri paralajmëroi se do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Avokati deklaroi se ky vendim nuk do të qëndrojë dhe Destan Shabanaj përfundimisht do të shpallet i pafajshëm.

Sot Gjykata e Prishtinës dënoi Zllatan Kërstiqin dhe Destan Shabanajn për krime lufte.

Kërstiq nga Gjykata u shpall fajtor dhe u dënua me 14 vite e gjysmë burgim ndërsa Shabanaj u dënua me burgim me kohëzgjatje prej 7 vitesh.

Kërstiq akuzohet se së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullatës civile shqiptare.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ai me mjete ushtarake ka hyrë në oborrin e shtëpisë  së familjes NN dhe ka marrë pjesë në shkatërrimin e pasurisë dhe shtëpive.

Ai akuzohet edhe se ka marrë pjesë në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familjeje dhe në marrjen peng të 4 pjesëtarëve të tjerë, e më vonë vrasjen e tyre.

Prokuroria pretendon se ai ka kontribuar në maltretimin, torturimin, gjymtimin dhe në vrasjen me armë zjarri të viktimave, madje duke i hedhur skaj rrugës kufomat e viktimave me qëllim të fshehjes së krimit.

Kurse Shabanaj akuzohet se në cilësinë e inspektorit policor ka urdhëruar që trupat e këtyre viktimave të varrosen pa dinjitet e në kundërshtim me rregullat e luftës.

Prokuroria Speciale e Kosovës  pretendon se në ditën kritike me urdhër të Shabanajt dhe pjesëtarëve të tjerë përmes personave H. K. dhe I. A. i kanë tërhequr me kamion viktimat nga morgu i Prishtinës ende pa iu bërë autopsia.

Tutje, në aktakuzë thuhet se viktimat ishin dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt, ku ishte duke i pritur Destan Shabanaj. Sipas Prokurorisë, ai pretendohet se kishte urdhëruar personin “Maksut” që me ekskavator të hapte një gropë me qëllim që në të hudheshin viktimat.

Pas hapjes së kësaj grope, sipas Prokurorisë, Shabanaj ka urdhëruar që pa i respektuar traditat dhe ritualet fetare t’i hidhnin viktimat në gropë dhe t’i hidhnin në dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e tyre.