Ministria e Diasporës, Foto: Facebook

Parregullsi në konkursin e ministrisë së Diasporës

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike për vitin 2019, ka gjetur se ushtruesi i detyrës i Sekretarit të përgjithshëm të këtij dikasteri e kishte emëruar veten kryesues të komisionit për rekrutim.

Sipas Auditorit, gjatë testimit të procedurave të rekrutimit të brendshëm, në një rast kanë vërejtur se U.d i Sekretarit të Përgjithshëm përmes një vendimi ka caktuar komisionin përzgjedhës për pozitën Udhëheqës i Divizionit për promovimin e investimeve strategjike, ku si kryesues të këtij komisioni kishte caktuar vetveten.

Në këtë raport thuhet se vendimi i tillë ishte bërë për arsye të mungesës së drejtorit të Departamentit për pozitën në fjalë.

Por ZKA-ja vlerëson se ushtrimi i detyrës së kryesuesit të Komisionit përzgjedhës nga vet zyrtari kryesor administrativ, mund të përbëjë konflikt interesi, pasi që në rastet e ankesave të mundshme të kandidatëve, mund të ndikojë në epilogun e ankesave për vendimet e marra nga vetë ai.

“Sipas ligjit nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 29- rastet e përjashtimit nga procedura, pika 1.7- një nëpunës nuk duhet të përfshihet në një procedurë administrative nëse është pjesë apo shqyrton si organ epror ankesën e një akti të marrë prej vet atij”, thuhet në raportin vjetor të Auditorit.

Auditori tutje thekson se ministri duhet të sigurojë se në të gjitha proceset ku nevojiten formimet e komisioneve, kryesues të atyre komisioneve të mos caktohet zyrtari cili përfshihet në procedurë administrative, dhe në të njëjtën kohë, merr pjesë në shqyrtimin e ankesave si organ epror për një vendim të marrë prej vet atij.

Në qeverinë e kaluar, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ishte udhëhequr nga Dardan Gashi.

Ndërkaq, aktualisht ky dikaster udhëhiqet nga ministri në detyrë, Glauk Konjufca që drejton Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Diasorë.