Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim për fqinjtë nga Podujeva që dyshohet se u rrahën mes vete

Gjykata e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.Z., B.N. dhe F.N. për shkak të veprës penale – pjesëmarrje në rrahje.

Tre të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 20 ditësh për secilin veç e veç.

“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarë apo në bashkëpjesëmarrësit tjerë në kryerjen e veprës penale gjithashtu të njëjtit lihen në liri. Po ashtu, ekziston rreziku se mund të përsërisin veprën penale, pasi që të njëjtit janë fqinj në mes vete”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

“Të pandehurit A.Z., B.N. dhe F.N. me datë 02.05.2020, rreth orës 16:00, në fshatin Sfeqël të komunës së Podujevës, për shkak të një mosmarrëveshje në mes tyre, kishin marrë pjesë në një rrahje, e cila rrahje kishte rezultuar me të lënduar me lëndim të rëndë trupor”, thuhet në komunikatë.

Gjykata ka udhëzuar palët për të drejtën në ankesë kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.