Seanca për masë të sigurisë për Izet Zogaj dhe Ardian Zogaj

Paraburgim për dy malishevasit të dyshuar se tentuan ta vrasin kushëririn

Babë e bir, Izet Zogaj dhe Ardian Zogaj do të qëndrojnë në paraburgim për një muaj si të dyshuar për tentim vrasje në një rast konflikti me kushëririn e tyre.

Të dy u sollën sot pranë gjykatës në Gjakovë si të dyshuar për vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe dëmtim apo asgjësim i pasurisë, kundër të dëmtuarve Alban Zogaj dhe Jetmir Lugaliu.

Prokuroria pretendon se me datën 1 gusht në fshatin Novosellë të Komunës së Malishevës, në të pandehurit Ardian dhe Izet Zogaj kishin shtënë shtatë herë në drejtim të Alban Zogajt.

Sipas Prokurorisë i dëmtuari Alban Zogaj, kishte qenë duke dalur nga shtëpia për të shkuar në një aheng familjar dhe me vete kishte pasur edhe vajzën e tij të mitur.

Një e shtënë e armës kishte arritur arritur ta godasë një automjet, pronë e të dëmtuarit Jetmir Lugaliu.

Sot, gjatë seancës paraprake kërkesën për caktimin e paraburgimit të kërkuar nga prokurori i rastit Ismet Tofaj, e kundërshtuan dy të pandehurit dhe avokatët e tyre.

I pandehuri Ardian Zogaj, tregoi se per festën e Bajramit kishte qenë për vizitë në varreza dhe aty ishte rrahur nga pesë persona, duke përfshirë të dëmtuarin Alban Zogaj.

“Jam rrahur nga 5 persona dhe njëri prej tyre ka qenë që e kishte plagosur prindi im në vitin 2016, por ata janë pajtuar. Për këtë rrahje kam edhe shenjat në qafë dhe atë ditë kam qenë vetëm, ku Alban Zogaj më ka rrahur i pari katër herë më ka gjuajtur, e paataj unë ia kam kthyer”- deklaroi i pandehuri Ardian Zogaj.

Ndërsa, i pandehuri Izet Zogaj, tha se kishte qenë në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja.

“Kur më kanë rrahur djalin unë kam qenë në shtëpi dhe për këtë kam dëshmitarë Sokol Gashin dhe Ramiz Bytyqin, të cilët janë miqtë e Albanit dhe njëkohësisht shokët tanë”, deklaroi Izet Zogaj.

Izet Zogaj gjithashtu tregoi se në vitin 2016 kishte pasur një konflikt me  kushërinjtë e tyre, për të cilin ishin pajtuar dhe se kishte qëndruar 4 muaj në paraburgim, mirëpo lënda ende nuk ka përfunduar sepse lënda prej Gjykatës së Malishevës tani ka ardhur në Gjakovë.

Mirëpo, pavarësisht rastit pas kërkesës së Prokurorisë, gjykatësi i procedurës paraprake Shaqir Zika, ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate, pasi që duke marrë parasysh raportet e acaruara mes dy familjeve, të pandehurit mund të ndikojnë në dëshmitarë apo prova si dhe të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale, gjë që do të ndikonte në zhillimin normal të procedurës penale.

Sipas raportit të Policisë, të shtunën mbasdite ishin arrestuar dy persona, pasi që të njëjtit në bashkëpunim me dy persona tjerë, kishin gjuajtur me armë zjarri ndaj një personi tjetër.

Në këtë rast, nuk kishte pasur të lënduar, por vetëm dy të dyshuarit ishin dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerë gjendeshin në arrati.