Osmani: Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti janë të panegociueshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, që po mbahet për nder të Pavarësisë së Kosovës, ka përgëzuar qytetarët për kontributin e tyre në shtet ndërtim.

“Duke bartur në kujtesë aktin sublim të shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës, më lejoni të përgëzojë secilin qytetar të vendit tonë për kontributin në ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët. Të kujtojmë sakrificën dhe qëndresën e pareshtur të brezave që i priu jetësimit të ëndrës për liri e demokraci”- tha Osmani.

“Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit ashtu siç ishte edhe liria jonë dhe pavarësia e Kosovës, ëndërr dhe mision i shumë brezave dhe gjeneratave para nesh”- shtoi ajo.

Osmani tha se procesi i dialogut me Serbinë ka vetëm një epilog, e që siç tha ajo njohjen reciproke.

“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, që e rikonfirmoi edhe Biden në letrën e tij, e ajo është njohja reciproke. Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti jonë janë të pa negociueshme“- deklaroi Osmani.

Presidentja tha se duke punuar, zhvillohet edhe më tej jeta demokratike dhe forcohet shteti.

“Përvjetorët si ky janë mundësi e mirë për të refkeltuar mbi rrugëtimin tonë të gjatë e të dhimbshëm por krenar, si dhe mundësitë që duke punuar ta zhvllojmë më tej jetën tonë demokratike e ta forcojmë shtetin tonë për të cilin është sakrifikuar aq shumë. Prandaj le të punojmë bashkë e pa reshtur që shtetin tonë ta zhvillojmë e ta forcojmë e ta zhvillojmë”- ka thënë Osmani.

“Sa më shumë që të tjerët punojnë për minimin e shtetit tonë, aq më i fortë do të jetë unteti ynë për të forcuar dhe përparuar atë sepse republika jonë është e përjetshme”- tha mes tjerash Osmani.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Nën tingujt e performancës së orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, nga të cilët u interpretua himni kombëtar, u hap seanca e Kuvendit.

Sot janë bërë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.