Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani pret në takim një delegacion të Kongresit amerikan: Bashkëpunimi me SHBA-në - jetik për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim delegacionin e Kongresit amerikan, i udhëhequr nga Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan dhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Osmani në këtë takim ritheksoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

“Ajo nënvizoi se sa herë që SHBA-ja ka qenë e përfshirë dhe ka luajtur rol aktiv në rajonin tonë, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe është shënuar përparim i rëndësishëm” – thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Pjesë e diskutimeve në këtë takim ishte edhe situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes, investimeve dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Osmani ka falënderuar delegacionin e Kongresit amerikan për prezencën e vazhdueshme të trupave amerikane në vendin tonë.

“Duke falënderuar kongresistët për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është po ashtu jetik për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit, që mbeten qëllim i palëkundur për Republikën e Kosovës” – citohet të ketë thënë presidentja e Kosovës.