Osmani pas takimit me ministrin gjerman: Është koha që Kosova t'i bashkohet NATO-s

Në konferencë për media pas takimit me Ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se me Gjermaninë ka përkushtim për forcimin e raporteve ndërshtetërore.

“Dua t’i uroj mirëseardhje ministrit. Gjermania është aleate historike e republikës sonë. Gjermania ka qëndruar pranë nesh jo vetëm gjatë periudhave të rënda, por edhe në procesin e shtet-formimit e shtet-ndërtimit dhe vazhdon të mbetet aleat. Shteti dhe qytetarët do të jenë përherë falënderues. Shtimi i trupave të KFOR-it është reflektim i qartë i mbështetjes së popullit tonë dhe paqes e sigurisë afatgjate” – deklaroi Osmani.

Osmani tregoi se diskutuan çështjet e interesit të ndërsjellë dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë.

“Kosova mbetet e përkushtuar të vazhdoj të ndërtoj ushtrinë me standardet më të larta të NATO-s që të vazhdojë të kontribuoj në misione paqeruajtëse në botë dhe të mbroj shtetin tonë. Kosova është dëshmuar si partnere e besueshme dhe e përkushtuar. Është koha që Kosova t’i bashkohet NATO-s, kjo do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin në rajon. Për fat të keq politika e Serbisë vazhdon ta sfidoj integritetin e Kosovës dhe natyrshëm për ti parandaluar këto sulme ne kemi nevojë për përkrahjen e Gjermanisë dhe aleatëve” – shtoi Osmani.

“Sulmi i 24 shtatorit ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor. Hetimet zyrtare konfirmojnë qe prapa këtij sulmi qëndron Serbia nga organizimi, tek furnizimi deri të financimi e trajnimi i terroristëve në bazat e tyre ushtarake. Sot, në vend që Serbia t’i ekstradojë terroristët, vazhdon t’i inkurajoj ata për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin, përderisa Serbisë nuk i janë shqiptuar masa nga BE”, deklaroi Osmani

Presidentja tutje tha se suksesi i Kosovës është dëshmia e angazhimit gjerman në Kosovë e për Kosovën.

“E kemi obligim qe këtë përkushtim ta avancojmë tutje”, shtoi ajo.