Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani në takim me kryeministrin e Irlandës: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Ndërsa, ka theksuar se rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje drejt anëtarësimit në BE, por edhe në organizata ndërkombëtare.

Sipas saj, është koha që raportet e Kosovës me BE-në duhet të ngriten në nivel tjetër.

“Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Kosova mishëron vlerat evropiane, ndaj, në këtë frymë ka pas angazhim të vazhdueshëm që legjislacioni ynë është në harmoni me ligjet e BE-së. Është momenti i duhur që ta marrim statusin e vendit kandidat”- është shprehur Osmani.

Sipas njoftimit, Osmani tutje ka thënë se Kosova tashmë ka bërë hapa përmbajtjesor në deeskalimin e situatës në veriun e vendit, ndaj i cilësoi masat e BE-së, joproporcionale dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës.

“Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin e Irlandës kundër këtyre masave dhe përsëriti thirrjen për heqjen e tyre, ngase masat aktuale në fuqi kundër Kosovës janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog”- thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Ajo ka folur edhe për situatën e sigurisë teksa ka thënë se mungesa e masave kundrejt Serbisë në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Bansjkë vetëm se e inkurajon atë për të bërë sërish veprime të ngjashme, që cenojnë jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por edhe rajonin.

Ndërsa në takim, u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike dhe të fushës së sigurisë, interesat e përbashkëta dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit.

Në njoftim thuhet se me këtë rast u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Irlandës.

Varadkar është takuar sot edhe me kryeministrin Albin Kurti. Në konferencë për media pas takimit ai ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian dhe në Këshill të Europës.

Kryeministri irlandez: E ardhmja e Kosovës është në BE dhe Këshill të Europës