Kryeministri irlandez: E ardhmja e Kosovës është në BE dhe Këshill të Europës

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian dhe në Këshill të Europës.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë Varadkar tha se kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale që janë të ngrohta dhe po thellohen e përmirësohen edhe më tutje.

“Jam i lumtur për vizitën time në Kosovë. Patëm një takim shumë konstruktiv dhe ishte mundësi e mirë të kuptojmë për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare . Diskutuam për marrëdhëniet bilaterale që janë të ngrohta dhe po thellohen e përmirësohen edhe më tutje. Siç e dini Irlanda është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe jam shumë krenar për kontributin që anëtarët e ushtrisë tonë të KFOR-it e bëjnë këtu si dhe irlandezët civil që janë pjesë e EULEX-it dhe ka të bëjë me mbrojtjen e paqes këtu dhe ndërtimin e stabilitetit dhe të institucioneve që mezi pres ti takoj edhe EULEX-in dhe KFOR-in”- tha Varadkar.

Kryeministri irlandez tha se me shumë ende do të përkrahë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Europës sivjet dhe të fillojë edhe procesin e negociatave me BE-në, për anëtarësim edhe aty.

“Kurti dhe unë pajtohemi që e ardhmja e Kosovës është në BE dhe Këshillin e Evropës. Me shumë ëndje do ta përkrah Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Europës sivjet dhe të fillojmë edhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian për anëtarësim edhe atje. Kosova po tregon zotimin ndaj vlerave europiane dhe keni harmonizuar edhe politikat e sigurisë me ato të BE-së që është me rëndësi dhe e di që keni pasur presione për këtë dhe kjo do të ndikojë në vlerësimin tonë në të ardhmen. Do të shohim edhe për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore”- theksoi ai.

Më tej, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Varadkar tha se është jetik për të arritur harmoni dhe për të pasur zhvillim të mëtejmë në të dyja vendet.

“Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është jetik për të arritur një harmoni dhe për të pasur zhvillim të mëtejmë edhe në Kosovë edhe në Serbi. Sivjet është viti që është me rëndësi që ku stabiliteti të konsolidohet në Kosovë dhe nuk dua të shoh kthim të skenave të dhunshme që i kemi pa në shtator dhe maj”- deklaroi Varadkar.