Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Osmani inkurajon institucionet për bashkëpunim me aleatët për çështjen e dinarit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka inkurajuar të gjitha institucionet për bashkëpunim me aleatët lidhur me çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdorët si mjet pagese.

Ajo është shprehur e bindur që janë në rrugën e drejtë që të arrihet plan tranzicioni sa i përket kësaj rregullore.

“Sikurse edhe çdoherë tjetër bashkëpunimi me aleatët tanë asnjëherë nuk e çon Kosovën në rrugë të gabuar. Si presidente e vendit vazhdimisht inkurajoj të gjitha institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum, sepse sa herë veprojmë të bashkuar jemi shumë më të fortë dhe të njëjtën gjë e kërkoj edhe tani. Jam e bindur që jemi në rrugë të drejtë që shumë shpejt ky plan tranzicioni të arrihet me pajtimin e të gjithëve dhe të jemi efektiv në tërësi, por bashkë edhe me aleatët tanë në zbatimin e plotë të Kushtetutës sonë në çdo cep të vendit”- ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka shtuar se SHBA dhe aleatët tjerë nuk po i kërkojnë Kosovës të mbajë dinarin as të mos e respektoj Kushtetutën.

Por, sipas saj, ajo që po diskutohet është një plan tranzicioni për zbatimin e rregullores së BQK-së.

“Kemi një mirëkuptim të plotë, dhe qëllim të përbashkët me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, që Kushtetuta jonë të respektohet në plotni. E tëra që është duke u diskutuar është një plan tranzicioni për zbatimin e rregullores së BQK-së. Pra, që s’ka të bëjë me punën e BQK-së. Rregullorja mbetet ajo që është, askush nuk po kërkon që rregullorja të ndryshojë e cila bie në domenin e BQK-së, por institucionet që e zbatojnë atë, institucionet ligj zbatuese sikurse edhe për çdo vendim tjetër ndërtojnë plan të zbatimit. Edhe në këtë rast janë ende duke vazhduar diskutimet, secili do të jetë një plan tranzicionin i zbatimit i cili do t’i merr parasysh shqetësimet e të gjithëve”- ka thënë Osmani më 19.02.2024.

Ditëve të fundit, Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdoret si mjet pagese.

Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit, James O’Brien tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier më 15.02.2024,  ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

Hovenier tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.

Hovenier: Vendimi i Kosovës për dinarin ka prekur partneritetin tonë