Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Osmani: Drafti i ekipit menaxhues është draft i Vuçiqit, Kosova duhet ta ketë draftin e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur skeptike nëse Serbia do ta miratoj deklaratën për të pagjeturit, ashtu siç është paralajmëruar se do të ndodhë sot në takimin e nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Osmani ka theksuar se “Kosova është aty për ta mbrojtur interesin e vet dhe në asnjë moment për ta vënë në pazar”.

“Kemi dyshime në atë se çfarë do të zbatoj Serbia megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët e cila nëse nuk bllokohet nga ana serbe do të përfundoj sot që partnerët ndërkombëtar të sigurohen që çdo hap që premtohet edhe të zbatohet” – tha Osmani para gazetarëve në akademinë përkujtimore në 24-vjetorin e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë, ku mbetën të vrarë 116 persona.

E para e vendit, poshtu shprehu edhe pritjet e saj për ekipin menaxhues për drafti-statutin e Asociacionit, i cili pritet të prezantohet gjatë takimit të sotëm.

“Pritjet e mia si presidente e Republikës është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse ne nuk guxojmë që një draft i cili në realitet është draft i Vuçiqit të bëhet bazë e negociatave”- tha ajo.

“Pra ta kemi draftin tonë i cili është në përputhje të plotë me Kushtetutën, është në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, është poashtu në përputhje me qëndrimin e SHBA-ve nga Cholle dhe Escobar i cili siguron që nuk preket sovraniteti, integriteti territorial e as parimi i unitaritetit të shtetit”- shtoi ajo.

Sot në Bruksel pritet të mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrit Albin Kurti presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell së bashku me emisarin special për dialog, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët.

Takimi i përbashkët do të fillojë nga ora 18:00. Në njoftim bëhet e ditur se palët pritet të miratojnë deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës.

Pika e dytë e rendit të ditës pritet të jetë diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit, i cili është përpiluar nga ekipi menaxhues.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, pak para takimit të nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se statuti i Asociacionit duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.

Lajçak: Ekipi menaxhues do ta prezantojë draft-statutin e Asociacionit, nuk e dimë përmbajtjen