Ilustrim

Orari i punës në qendrat tregtare sipas vendimit të Qeverisë

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e cila është mbajtur online, është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia e COVID-19.

Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës emergjente me Coronavirus – COVID -19, ka vlerësuar dhe i ka dhënë rekomandimet për Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht për ndërmarrjen e masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të gjitha qendrave tregtare në tërë territorin e Kosovës u ndalohet veprimtaria nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Po ashtu, të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë si restorantet, kafeteritë dhe të ngjashme në Republikën e Kosovës, u ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00, përveç shërbimeve “Merr me veti” (Take away).

“Brenda orarit të lejuar mund të punojnë duke respektuar distancën prej 2 metra hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe të mbajnë dezinfektantët për duar në çdo tavolinë, të cilat mund të shfrytëzohen nga klientët. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjes në objekte publike dhe private”, thuhet vendimin e Qeverisë.

Me vendimin e ri, ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim.