Opozita kërkon përkushtim që ligjet e miratuara të mos refuzohen nga Gjykata Kushtetuese

Në mbledhjen e Komisioni për Legjislacion, anëtarët nga opozita kanë bërë thirrje për kujdes, që ligjet që kalojnë në këtë komision, të mos refuzohen nga Gjykata Kushtetuese.

Zëvendëskryetari i Komisionit, Driton Selmanaj nga LDK, tha se gati secilën iniciativë që e kanë dërguar në Kushtetuese, janë konfirmuar si kundërkushtetuese.

“Ne të gjithë jemi dëshmitarë që Gjykata Kushtetuese gati secilën iniciativë tonë që e kemi dërgu po e konfirmon kundër-kushtetutshmërinë e tyre. Ne jemi komision i cili vlerëson ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e ligjeve që shkojnë në Kuvend, nëse ne këtu ju kemi jep lejen dhe më pas Kushtetuesja vendos kundër, atëherë pse nuk po e bëjmë punën mirë këtu ose qëllimshëm po e shkelim Kushtetutën” – tha Selmanaj .

“Po ju lus që të kemi kujdes sepse ky është mandati ynë, vlerësojmë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e akteve që i miratojmë këtu. Ju lus për përkushtim më të madh për kujdes më të madh sepse më pas ato ligje po ngelen të pa zbatueshme”- shtoi ai.

Me deputetin Selmanaj është pajtuar edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri i cili bëri thirrje për kujdes maksimal për trajtim të ligjeve.

“Pajtohem me Selmanajn, duhet të jemi të kujdesshëm maksimalisht me pa që ligjet që bien ndesh me Kushtetutën, ne si Komision ta ngrisim nivelin më të lartë, nuk guxojmë me qenë në komision funksional e me i trajtu me neglizhencë këto çështje” – tha deputeti Besnik Tahiri.

Ndërkaq deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra tha se në emër të partisë së saj i bashkohet thirrjes së kolegëve opozitarë për respektim të Kushtetutës.

“Në emër të PDK-së do t’i bashkohem thirrjes së kolegëve të mi opozitarë për respektim të Kushtetutës, është komisioni më i rëndësishëm i Kuvendit dhe përderisa një pjesë e madhe e ligjeve kanë marrë epilog kundër-kushtetues, atëherë na bie barra dhe përgjegjësia si komision kryesor për të pa nëse do të kemi sërish përballje me ligje që shkelin Kushtetutën” – tha deputetja Deliu Kodra.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi nga LVV-ja tha se pajtohet me opozitën që për aq sa kanë mundësi, të rrisin nivelin e komisionit për atë fushë, por që sipas tij Gjykata Kushtetuese nuk mund të zëvendësohet.

“Jam dakord që për aq sa ka mundësi në kuptimin profesional të fjalës dhe të kapaciteteve dhe dinamikës me rritë nivelin e Komisionit për Legjislacion edhe për këtë fushë. Sado që mund ta rrisim nivelin, asnjëherë nuk mund të zëvendësojmë Gjykatën Kushtetuese sepse ajo e bën interpretim abstrakt, nuk konstaton shkelje, të kushtetutshmërisë së një projektligji” – tha deputeti Rrustemi.

“Është shumë mirë që është autoriteti i fundit, edhe kur nuk pajtohemi, i zbatojmë. Megjithatë Kuvendi ka miratuar gjatë këtyre viteve mbi 150 ligje, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese për dy projektligje ka aktgjykim. Është mirë me ngritë nivelin, por është e vërtetë që për dy projektligje ka aktvendim” – tha mes tjerash ai.

Në këtë mbledhje anëtarët e Komisionit janë pajtuar që gjatë sesionit vjeshtor të shtohen vizitat në institucionet që ata i monitorojnë.