Foto: Top Channel

Opozita kërkon dorëheqjen e Edi Ramës

Më thirrjen “O besëprerë, ik largohu!”, kryedemokrati mblodhi qytetarët në shesh, poshtë zyrës së Edi Ramës për të kërkuar dorëheqjen e tij si një biletë pa kthim. Përfshirja e kryeministrit në aktakuzën e ish-zyrtarit të FBI-së për Sali Berishën është përpjekja e qeverisë në rrafshin ndërkombëtar për të shkatërruar opozitën.

“Qëllimi kryesor i këtij revolucioni është të mbrojmë të vërtetat, por jo vetëm ti mbrojmë. Të bëjmë çdo sakrificë, çdo përpjekje që ato të triumfojnë. Rama është shndërruar në shpresëvrasësin më të madh në Europë dhe një nga 3 shpresëvrasësit më të madhej në botë. Në këtë skandal, Edi Rama është i vetmi kryeministër që përmendet 14 herë në aktpadinë e çështjes në të cilën ai korruptoi dhe përdori si vrasës me pagesë kundër opozitës perëndimore të Shqipërisë dhe pluralizmit politik, njërin nga zbuluesit më të fuqishëm të planetit”, tha Berisha.

Një sjellje që, sipas Berishës, e bën Edi Ramën të denjë për t’u renditur jo mes liderëve perëndimorë. “Ti Edi Rama ke kryer një akt armiqësor ndaj këtij vendi për të cilin Vladimir Putin, Kim Jong Un, Aleksandër Lukashenko janë gati të të varin dekoratën e tyre më të lartë, o faqezi”, tha Berisha.

Përveç akuzave ndaj kundërshtarit politik, në fjalimin e kreut të PD nuk mungoi as shpalosja e platformës qeverisëse e demokratëve. Deri në ndryshimin e pushteteve, opozitën e quajti në mision dhe u kërkoi qytetarëve që duke nisur nga e hëna të shndërrohen në protestues të Edi Ramës. “Qytetarë të revoltuar të vijojmë betejë nderi në revolucion, të hënë para Parlamentit”.

Në mbyllje të fjalimit, ndërsa Berisha tundte flamurin kombëtar, protestuesit hodhën tymuese dhe molotovë në drejtim të selisë së qeverisë. Në vend të gazit lotsjellës, këtë herë Garda u përgjigj me kova uji.

Kur u duk se protesta mbaroi dhe Ilir Meta u kthye në zyrën e tij, kryedemokrati ndryshoi skenar. I shoqëruar nga deputetët demokratë dhe protestuesit, nisi marshimin derë më derë para institucioneve që drejtohen nga mazhoranca e majtë. Nga Parlamenti, në Ministrinë e Brendshme për të vijuar te porta e mbyllur e Bashkisë së Tiranës dhe më pas zhvendosja para selisë së Partisë Socialiste.

Me këtë marshim që zgjati për afro 3 orë, Berisha mbylli protestën duke u lënë takim qytetarëve të hënën pasdite në orën 5 para Parlamentit, për një tjetër tubim ndërsa deputetët pritet të mblidhen në seancë plenare./A2CNN