Oda e Infermierëve mbështetë marshin e organizuar nga Sindikata e Infermierëve kundër projektligjit të ri të pagave

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor (OIK) njofton se do e mbështesë marshin e 1 marsit të organizuar nga Sindikata e Infermierëve për të kundërshtuar projektligjine  ri të pagave.

“OIK ka shprehur gatishmërinë për t’a kundërshtuar diskriminimin e komunitetit infermieror përmes Ligjit të Pagave, duke mos ranguar infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor në pozicionin meritor”, thuhet në njoftimin e OIK.

Tutje në njoftim thuhet se, marshi do të jetë një protestë që sipas OIK do të adresohet ndërgjegjësimi i opinionit lidhur me diskriminimin në koeficientë të pagave.

“Marshi, do të jetë një protestë, ku në mënyrë strategjike do të adresohet ndërgjegjësimi i opinionit lidhur me paknaqësitë e komunitetit infermieror lidhur me diskriminimin në koeficientë të pagave”, njofton OIK.

Në projektligjin e ri për paga, i cili është ende në fazat e hershme të diskutimeve janë përcaktuar koeficientet e rinj të pagave të punëtorëve në sistemin shëndetësorë.

Drejtuesit e nivelit parësor, dytësor dhe tretësor në shëndetësi nuk do të kenë koeficient të njëjtë.

Sipas projektligjit, drejtuesit e institucioneve të nivelit dytësor dhe tretësor pritet që të kenë koeficient të pagës 10.6. Drejtuesit e institucioneve të nivelit parësor me projektligjin e ri, i cili ende është në procedurë, do të kenë koeficient të pagës 10.4.

Mjeku specialist, mjeku specialist i Mjekësisë Familjare, Stomatologu Specialist, Farmacisti Specialist me projektligjin e ri do të kenë koeficient 10.1.

Me anë të ndryshimeve që janë bërë në projektligjin e ri, mjeku i cili është në specializim do të ketë koeficient 8.

Mjeku i përgjithshëm, stomatologu dhe farmacisti me projektligjin e ri do të kenë koeficient të pagës 7.4, psikologu klinik do të ketë koeficient 7.

Në projektligjin e ri, pozitat si: fizioterapeut, logoped, radiologji diagnostike, mjekësi sanitare do të kenë koeficient 6.

Kryeinfermieri i nivelit tretësor të shëndetësisë do të ketë koeficientin 5, kurse kryeinfermieri i nivelit parësor dhe sekondar do të kenë koeficientin 4.9.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësorë dhe teknikët farmacistë të nivelit tretësor me nivel shkollimi Bachelor do të kenë koeficient page 4.75.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësor dhe teknikët farmacistë të nivelit tretësor me shkollim të mesëm do të kenë koeficient page 3.8.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësor dhe teknikët farmacistë të nivelit parësor dhe sekondar me shkollim të mesëm do të kenë koeficient page 3.7.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Sipas këtij ligji, paga bazë konsiderohet ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të punës. Vlera kësaj page bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji i ri për paga në sektorin publik nuk është miratuar ende në Qeverinë e Kosovës.