9 infermierët, teknikët e instrumentarët që vdiqën si pasojë e infektimit me COVID-19

Sot janë bërë 3 vite, që kur u regjistruan dy rastet e para të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë.

Përderisa bota përballej me një virus të ri, për të cilin dinte shumë pak, Kosova luftonte kundër këtij virusi edhe me mungesë të infermierëve.

Në gusht të 2021-tës, Oda e Infermierëve të Kosovës bëri të ditur se një infermier i vetëm kujdesej për rreth 20 pacientë të prekur me COVID-19.

Gjatë kësaj kohe pandemike, sipas Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë, në Kosovë vdiqën 9 profesionistë shëndetësorë, anëtarë të saj, si pasojë e infektimit me COVID-19. Këta profesionistë u infektuan përderisa ishin duke ushtruar profesionin e tyre, që kërkonte që ata të ishin të parët në luftën kundër këtij virusi.

Sherafedin Mehmeti, Kujtim Macula, Shkurte Gecaj, Albert Rexhaj, Ilir Ymeri, Vjollca Berisha, Miradije Pllana – Hoti, Lujljeta Statovci dhe Qamil Morina janë emrat e tyre.

Sipas OIK, katër nga ta ishin infermierë, tre teknikë laborantë, një teknik i stomatologjisë dhe një instrumentare.

Që nga nisja e pandemisë në Kosovë kanë vdekur edhe 21 mjekë dhe 3,211 persona gjithsej.