
Protesta e veteranëve të UÇK-së (06.06.2022)
Pamje nga protesta e OVL-UÇK kundër mospërfshirjes në Projektligjin për Pagat
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar protestën para Kuvendit të Kosovës.
Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, ka thënë se protesta mbahet për të kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Projektligjin për Pagat.
“Meqenëse të hënën, me datë 06.06.2022 në ora 11:00 do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë e parë e rendit të ditës është miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale, u vendos që të kundërshtohet kjo.”, thuhet në postimin e Klinakut në “Facebook”.
Sot, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancë plenare me pikat e papërfunduara.
Pika e parë e rendit të ditës është “votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.