Ligji i Pagave nuk miratohet në afatin e zotuar, qeveria thotë se hartimi është në fazën e fundit

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars, ndërsa ende nuk dihet se kur mund të shkoj për miratim në qeveri e pastaj në Kuvend.

Në programin legjislativ ishte paraparë që ky projektligj të trajtohet me 30 mars 2022.

Zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KALLXO.com, ka konfirmuar se projektligji për paga është në fazën finale të draftimit.

“Projektligji ndodhet në fazën përfundimtare të draftimit. Pas finalizimit të tij do hapim konsultimet publike ku do të jenë të ftuara të gjitha sindikatat, mediat dhe shoqëria civile”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Ai ka bërë edhe një krahasim me Ligjin e kaluar,  duke thënë që synimi i qeverisë është që përmes këtij projektligji të bëjnë nivelizimin e pagave në sektorin publik.

“Ligji i kaluar por edhe korniza aktuale e sistemit të pagave ka shumë parregullsi të cilat kanë nevojë për trajtim të kujdesshëm dhe sistematik. Jemi duke punuar intensivisht adresimin e të gjitha çështjeve. Synimi ynë është që ligji fillimisht dhe mbi të gjitha të jetë ligj i mirë i cili në mënyrë të drejtë bën rregullimin dhe nivelizimin e pagave në sektorin publik”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Gjatë muajit të shkurt në publik doli drafti i projektligjit fillestar, në të cilin parashiheshin koeficientet e pagave në institucionet publike, por jo edhe vlera e koeficientit.

Ky projektligj u komentua shumë, por asnjëherë deri më tani zyrtarët qeveritarë nuk kanë përmendur ndonjë shifër për vlerën e një koeficienti.

E mos trajtimi i këtij projektligji gjatë marsit, sic ishte thënë dikur, ka bërë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të reagoj ndaj mos miratimit të këtij ligji.

Kryetari i grupit parlamentar të AAK, Besnik Tahiri më 31 mars, ka thënë se Qeveria e kishte zotim që ky ligj të kaloj në qeveri në fund të muajit mars të këtij viti.

“Qeveria ka pas zotim që në fund të marsit ky ligj të kalon në Qeveri. Ku është ligji i pagave? Ku jeni fsheh me këtë ligj? Ku është procesi i punës për finalizimin e këtij ligji”, tha Tahiri.

“Pse na keni thënë që ligji bëhet në mars, a ka qenë në atë kohë veç me i mashtruar shërbyesit civil? Apo është pazotësi e juaja dhe nuk dini me bo këtë ligj. Qeveria duhet të ju kërkoj falje shërbyesve civil”, tha ai.

Tahiri në fillim të seancës së mbajtur më 31 mars, i ka vendosur disa pankarta me mbishkrimin “Ku është ligji i pagave” tek foltorja e Kuvendit dhe ulëset e disa ministrave.

Kurse në shkurt të vitit 2022 me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi e kishte miratuar rezolutën e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), lidhur me veprimet e Qeverisë sa i përket projektligjit të pagave në sektorin publik.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri para votimit të kësaj rezolute, kishte kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla që të mos eksperimentohet me koeficientet e Ligjit të Pagave.

KALLXO.com kishte siguruar draft projektligjit të ri për pagat.

Sipas një shkrimi të publikuar më 15 shkurt, sipas draft projektligjit të ri për pagat të siguruar nga KALLXO.com, pozita e presidentit të vendit, pritet të jetë pozita me e paguar në sektorin publik në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se drafti i projektligjit për paga i publikuar në media, nuk është i saktë.

Ai kishte kërkuar që të pritet drafti final i ligjit.

“Nuk bëhet fjalë as për përcaktim monetar të koeficientit as për koeficiente të saktë andaj le ta presim draftin final. Atëherë do ta them edhe unë fjalën time si kryeministër se çfarë mendoj. Unë nuk e di se cili draft është i saktë por unë e di që nuk është i saktë ai që është publikuar dhe e di që ka pasur drafte preliminare gjatë diskutimeve”, deklaroi ai në shkurt 2022.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla kishte reaguar në lidhje me shkrimet dhe lajmet për draft projektligjin e ri për pagat e zyrtarëve publikë.

Sipas Sveçlës, ende nuk ka draft final të Ligjit për pagat e zyrtarëve publikë.

Ai ka shtuar se nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit.

“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudo-lajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, thuhej në reagimin e Sveçlës.

Kërkesat e sindikalistëve për përfshirje në hartimin e Ligjit për pagat

Projektligji për pagat, kishte aktivizuar sindikalistët e sektorëve të ndryshëm në Kosovë, të cilët kërkonin nga Qeveria e Kosovës që ky projektligj të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe që si ligj të zbatohet nga viti 2022.

Dy sindikata të punëtorëve shëndetësorë në shkurt të këtij viti e kanë kundërshtuar projektligjin e ri të pagave, i cili parasheh ndryshim të koeficienteve të pagave.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, kishte thënë se draftin e projektligjit e kanë parë, por nuk i dinë çfarë koeficiente janë.

Edhe Fitim Havolli nga Sindikata e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë kishte thënë për KALLXO.com se nëse ky projektligj do të kalojë me koeficientet që po qarkullojnë në media atëherë do të detyrohen të marrin veprime sindikale.

“Ne ende nuk kemi diçka zyrtare në lidhje me këtë projektligj, por këto që po qarkullojnë nëpër media nëse shkojnë kështu dhe nëse përsëri do të bëhet diskriminimi për neve atëherë në do të veprojmë komfor Ligjit për organizimin sindikal në Kosovë”, kishte thënë Havolli duke shtuar se do të japin komentet e tyre si sindikatë për këtë projektligj.

KALLXO.com ka shkruar lidhur me koeficientitet e rinj të pagave të punëtorëve në sistemin shëndetësorë.

Drejtuesit e nivelit parësor, dytësor dhe tretësor në shëndetësi nuk do të kenë koeficient të njëjtë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Sindikata e Administratës Publike dhe ajo e Policisë kishin shprehur pakënaqësi ndaj versionit të draft Ligjit për Pagat.

“Përfaqësuesit e të tri këtyre Sindikatave janë shprehur se në pritje të takimeve me Ministritë gjegjëse kanë ngritur grupe punuese duke përgatitur propozime konkrete e të argumentuara , të cilat do t’i prezantojnë. Përfaqësuesit e këtyre tri sindikatave kanë shprehur pakënaqësi të shumta ndaj versionit të Projektligjit që është duke qarkulluar”, thuhej në komunikatën për medie nga SBAShK-u.

Edhe kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, kishte folur për koeficientin e shërbyesve civilë në projektligjin e ri për paga. Ai ka thënë se ndër vite janë kategoria më e shkelur e të gjithë shërbyesve publikë të vendit.

“Kategoria e shërbyesve civilë në nivelin lokal është më e ulëta, nga koeficienti 8 deri në koeficientin 2.8 Nuk ka shifër më të vogël nën 2.8. Niveli lokal është i lënë anash”, kishte thënë Zymberi për KALLXO.com.

Ligji i pagave i mbetur peng

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.