Ilustrim

Sindikatat e punëtorëve shëndetësorë kundërshtojnë projektligjin e ri të pagave

Dy sindikata të punëtorëve shëndetësorë e kanë kundërshtuar projektligjin e ri të pagave, i cili parasheh ndryshim të koeficienteve të pagave.

Sindikatat kanë deklaruar për KALLXO.com se nuk do të pranojnë diskriminime në koeficiente sikurse në ligjin e kaluar, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, është shprehur i prerë në kundërshtimin e tij ndonëse ka deklaruar se ende nuk i ka parë koeficientët.

“Ne e kemi draftin por nuk i dimë koeficientet. Kjo ka rrjedh më pas prej dikujt por qëndrimi jonë është që kjo kështu nuk kalon”, ka deklaruar Syla.

Syla po ashtu ka deklaruar se si Sindikatë nuk kanë qenë pjesë e asnjë grupi punues të këtij projektligji të pagave.

“Me qëllim nuk kemi reaguar njëherë, mirëpo e kemi bërë të ditur që nuk jemi pjesë e asnjë grupi punues që e ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme. Draftin e kemi parë, por nuk i kemi parë anekset dhe nuk i dimë me çfarë koeficiente janë. Neve nuk na kanë dhënë dhe nuk e dimë ende vlerën e koeficientit”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Fitim Havolli nga Sindikata e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë ka thënë se nëse ky projektligj do të kalojë me koeficientët që po qarkullojnë në media atëherë do të detyrohen të marrin veprime sindikale.

“Ne ende nuk kemi diçka zyrtare në lidhje me këtë projektligj, por këto që po qarkullojnë nëpër media nëse shkojnë kështu dhe nëse përsëri do të bëhet diskriminimi për neve atëherë në do të veprojmë komfor Ligjit për organizimin sindikal në Kosovë”, ka thënë Havolli duke shtuar se do të japin komentet e tyre si sindikatë për këtë projektligj.

Në projektligjin për paga, i cili është ende në fazat e hershme të diskutimeve janë përcaktuar koeficientet e rinj të pagave të punëtorëve në sistemin shëndetësorë.

Drejtuesit e nivelit parësor, dytësor dhe tretësor në shëndetësi nuk do të kenë koeficient të njëjtë.

Sipas projektligjit, drejtuesit e institucioneve të nivelit dytësor dhe tretësor pritet që të kenë koeficient të pagës 10.6. Drejtuesit e institucioneve të nivelit parësor me projektligjin e ri, i cili ende është në procedurë, do të kenë koeficient të pagës 10.4.

Mjeku specialist, mjeku specialist i Mjekësisë Familjare, Stomatologu Specialist, Farmacisti Specialist me projektligjin e ri do të kenë koeficient 10.1.

Me anë të ndryshimeve që janë bërë në projektligjin e ri, mjeku i cili është në specializim do të ketë koeficient 8.

Mjeku i përgjithshëm, stomatologu dhe farmacisti me projektligjin e ri do të kenë koeficient të pagës 7.4, psikologu klinik do të ketë koeficient 7.

Në projektligjin e ri, pozitat si: fizioterapeut, logoped, radiologji diagnostike, mjekësi sanitare do të kenë koeficient 6.

Kryeinfermieri i nivelit tretësor të shëndetësisë do të ketë koeficientin 5, kurse kryeinfermieri i nivelit parësor dhe sekondar do të kenë koeficientin 4.9.

Këto pozita në ligjin e vjetër patën koeficient të njëjtë page. Ky koeficient ishte 2.5.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësorë dhe teknikët farmacistë të nivelit tretësor me nivel shkollimi Bachelor do të kenë koeficient page 4.75.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësor dhe teknikët farmacistë të nivelit parësor dhe sekondar me nivel shkollimi Bachelor do të kenë koeficient page 4.6.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësor dhe teknikët farmacistë të nivelit tretësor me shkollim të mesëm do të kenë koeficient page 3.8.

Laborantët, infermierët, mamitë, teknikët mjekësor dhe teknikët farmacistë të nivelit parësor dhe sekondar me shkollim të mesëm do të kenë koeficient page 3.7.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Sipas këtij ligji, paga bazë konsiderohet ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të punës. Vlera kësaj page bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji i ri për paga në sektorin publik nuk është miratuar ende në Qeverinë e Kosovës.