KQZ

Numërohen 143 nga 187 kuti të votimit që u takojnë votave të dërguara me postë nga jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri të hënën, më 03.03.2025, në ora 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 143 nga 187 kuti me votave të dërguara me postë nga jashtë Kosovës.

“Deri të hënën, më 3 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 143 nga 187 kuti të votimit që i takojnë votuesve nga komuna të ndryshme. Aktualisht, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit nga komunat Vushtrri, Junik, Ferizaj, Prizren, Shtime dhe Suharekë”- thuhet në njoftim.

Sipas KQZ-së, procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.

KQZ ben të ditur se pas përfundimit të numërimit, rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas komunave, të cilave u takojnë votuesit e regjistruar, brenda një kohe të shpejtë do të shfaqen në platformën https://rezultatet2025.net.

Në ndërkohë, pas numërimit të mbi 30% të votave me postë – shtuar votave nga vendvotimet e rregullta dhe misionet diplomatike, njohësi i proceseve zgjedhore nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka prezantuar projeksionet e ndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës.

Cakolli ka shkruar në Facebook se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e para me shumicën e votave me postë, por sipas tij është dukshëm larg nivelit të përkrahjes sikur në votat në misionet diplomatike.

“Ajo çfarë bie në sy është një performancë tejet pozitive e LDK-së, e një e dobët e PDK-së” – thotë ai.

Megjithatë, siç shkruan Cakolli, procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, dhe trendet e votave të mbetura mund të sjellin disa prej ndryshimeve.

“LVV është afër sigurimit të 49 mandateve, por që ta arrijë këtë, duhet të fitojë mbi 60% të të gjitha votave me postë. Me trendin aktual, kjo është e mundur, por jo e garantuar. LVV mund të arrijë edhe në 50 mandate, nëse fiton rreth (+) 70% të votave me postë. Me trendet e deritanishme, kjo është vështirë e arritshme, por e mundur” – shkruan ai.

Me një trend të tillë, shprehet ai, LDK është vetëm disa qindra vota larg që ta marrë edhe një mandat nga PDK, dhe nëse vazhdon të performojë mirë në votat me postë, mund të arrijë 21 mandate.

Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.90% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.03%. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46% të votave të fituara.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 09.02.2025.

Vijon numërimi i votave me postë, Cakolli prezanton projeksionet për mandatet në Kuvend