'Rinia largohet, Rozeta pasurohet' - Rinia Demokratike e Kosovës me aksion para MINT-it

“Vaji dhe Polonia, si Rozeta e hajnia!”; “Rinia largohet, Rozeta pasurohet”; “Ju me zemër, na pa bukë!” – janë disa nga parullat e aksionit të sotëm të Rinisë Demokratike të Kosovës para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ky aksion u zhvillua pasi në media janë publikuar disa audio-incizime që pretendohet së janë zhvilluar nga zyrtarë të MINT lidhur me rezervat shtetërore.

Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se MINT deri tani ka shpërfaqur vetëm “keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”.

“Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin dhe sheqerin dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaj dhe sheqer me vlerë mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake. Paret i kanë dhënë, por vaji, sheqeri e gruri nuk janë kërkun. Ne po e zhvillojmë këtë aksion simbolik, sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani, por vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike” – ka thënë Salihu.

PDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe po ashtu, kërkojnë nga organet e rendit t’i hetojnë “këto skandale korruptive”.

“Po shihet qartë që Qeveria Kurti me skandalet e saj të njëpasnjëshme nuk e ka prioritet rininë. Andaj, ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit t’i hetojnë këto skandale korruptive”- tha Salihu.

Aksioni i RDK-së, Foto:PDK
Aksioni i RDK-së, Foto:PDK
Aksioni i RDK-së, Foto:PDK