Vrasja e rëndë në Prishtinë, 25 nëntor 2022 Foto: KALLXO.com

Një muaj paraburgim për burrin që dyshohet se vrau gruan e tij më sëpatë në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj burrit që dyshohet se ka vrarë gruan e tij në Prishtinë në mëngjesin e hershëm të ditës së djeshme.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Sot është mbajtur seanca dëgjimore dhe gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaj” – ka thënë Gashi.

Dje gjatë ditës, nga ana e organeve të rendit dhe të drejtësisë u njoftua se një grua 63-vjeçare ishte vrarë. Sipas prokurorisë, dyshohet se ajo është vrarë nga bashëkshorti i saj, 70-vjeçar me një sëpatë.

Prokuroria në Prishtinë kishte thënë se vrasja e rëndë kishte ndodhur në rrugën “Mark Isaku” në kryeqytet.

Rreth orës 5 të mëngjesit i dyshuari ishte paraqitur në stacionin policor “Qendra” dhe kishte deklaruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij.

“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”- kishte thënë të premtën nga Prokuroria.

Tutje ishte treguar se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast thuhej se kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Trupi i viktimës, e cila ishte mësimdhënës, me urdhër të prokurorit ishte dërguar për obduksion.

Përderisa dje gjatë ditës u than ga prokuroria se nga hetimet fillestare ende nuk është arritur që të zbulohet motivi i vrasjes.

Prokuroria: Burri dyshohet se vrau gruan me sëpatë