Ilustrim
Prokuroria: Burri dyshohet se vrau gruan me sëpatë
Një mjet i mprehtë më saktësisht një sëpatë po dyshohet se është arma e krimit i cili ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Prishtinë.
Kështu ka njoftuar Prokuroria në Prishtinë në lidhje me rastin e vrasjes së rëndë ku një burrë dyshohet se vrau gruan e tij në rrugën “Mark Isaku” në kryeqytet.
Rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm i dyshuari ishte paraqitur në stacionin policor “Qendra” dhe kishte deklaruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij.
“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”- tregon prokuroria.
70 vjeçari po dyshohet për vrasje të rëndë nga prokuroria.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”- thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë, aktualisht nga hetimet fillestare ende nuk është arritur që të zbulohet motivi i vrasjes.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”- thuhet në fund të njoftimit.
KALLXO.com raportoi në lidhje me këtë rast mëngjesin e sotëm.