Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Një grua tajlandeze akuzohet se vrau 12 miq duke i helmuar

Policia tajlandeze ka njoftuar se ka arrestuar një grua nën dyshimin se ka vrarë 12 miq dhe të njohur të saj duke i helmuar.

BBC raporton se arrestimi i Sararat Rangsiwuthaporn ndodhi të martën në Bangkok, pas hetimeve të fundit të vdekjes së shoqes së saj.

Familja e viktimës ka ngritur dyshimet pasi që ajo kishte vdekur derisa ishte në një udhëtim me të dyshuarën, në fillim të këtij muaji.

Pas hetimeve, policia e Tajlandës ka thënë se besojnë që ajo ka vrarë edhe 11 persona të tjerë, përfshirë edhe ish të dashurin e saj. Këto vrasje dyshohen të kenë filluar në vitin 2020.

Sipas pretendimeve të policisë, vrasjet janë bërë për arsye financiare. Ndonëse, e dyshuara ka mohuar të gjitha akuzat, policia ka refuzuar lirimin e saj me kusht.

Në trupin e viktimës, janë gjetur gjurmë të cianidit gjatë autopsisë. Ndërsa, kur ajo është gjetur i kanë munguar telefoni, paratë dhe çantat.

Edhe pse nuk janë identifikuar të gjitha viktimat, mes të vdekurve policia ka përmendur ish partnerin e Sararat dhe 2 police.

Një shoqe e saj, për të cilën policia dyshon se kishte qenë po ashtu cak i të dyshuarës, ka treguar se i kishte huazuar asaj rreth 7300 dollarë. Ajo kishte vjellë dhe ishte alivanosur pasi ka ngrënë drekë me të, por ka mbijetuar.

Cianidi mund të zbulohet në kufoma edhe disa muaj pas vdekjes, nëse është përdorur në sasi vdekjeprurëse.

Ky helm lë qelizat e trupit pa oksigjen, gjë që mund të shkaktojë sulme në zemër. Simptomat e hershme përfshijnë marramendje, gulçim dhe të vjella.

Siç raporton BBC përdorimi i tij në Tajlandë është shumë i rregulluar dhe ata që zbulohen se kanë akses të paautorizuar përballen me dy vjet burg./BBC

Përgatiti: Vlera Shabani