Një ditë pas zgjedhjeve, Përparim Rama shëtitet nëpër kryeqytet - FOTO

Fituesi i balotazhit në Prishtinë, kandidati i LDK-së, Përparim Rama bashkë me bashkëshorten e tij, një ditë pas zgjedhjeve ka vendosur të shëtitet në këmbë nëpër rrugët e kryeqytetit.

Rama ka shpërndarë disa fotografi nga kjo shëtije duke falenderuar qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë.

“Vota jote më fuqizon me privilegjin e të qenit Kryetar i Prishtinës, e që nuk është Kryetar veç i një tjetër komune, po i vetë kryeqytetit të Kosovës. Të kryeqytetit, që ka zgjedhur zhvillimin dhe transformimin, dhe që duke qenë i krejt Kosovës, ka për ta llogaritë gjithë Kosovën në planifikimin e vet të gjithmbarshëm komunal”, ka thënë Rama.

Rama tutje është shprehur se pa besimin e qytetarëve nuk do arrinte këtë fitore, duke potencuar edhe ndihmën e ekipit të tij.

“Kjo fitore nuk do të ishte e mundshme pa besimin dhe angazhimin maksimal të një mori njerëzish që më besuan e më ndihmuan në sipërmarrjen time të fushatës. I jam thellësisht mirënjohës për punën e palodhshme ekipit tim të mrekullueshëm”, shtoi tutje Rama.

Përparim Rama në veçanti ka falënderuar bashkëshorten e tij Kristale Rama, për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.