Greva e punëtorëve teknik të shkollave të Prishtinës. Foto: KALLXO.com.

Nesër pritet të ndërpritet greva e punëtorëve teknik të shkollave në Prishtinë

Është arritur marrëveshja në mes nënkryetares së Kryeqytetit dhe U. D. e detyrës së Drejtores së Drejtorisë së Arsimit, Jehona Lushaku, gjithashtu Kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi për ndërprerjen e grevës së punëtorëve teknik në shkollat e Prishtinës.

Në faqen zyrtare të komunës thuhet se nënkryetarja Lushaku dëgjoi me kujdes kërkesat dhe nevojat e punëtorëve teknik për rritje të pagave të prezantuara nga kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, për të cilat tha se do të trajtohen menjëherë.

“Me urgjencë kam trajtuar çështjen e grevës së punëtorëve teknik në objektet shkollore të Kryeqytetit. Me këtë rast pas takimit me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, u pajtuam për ndërprerje të grevës nga nesër meqë kërkesa e tyre është plotësuar. U dakorduam që të plotësohen kushtet e kërkuara, ku përfshihet rritja e pagave”- deklaroi nënkryetarja Lushaku.

Ndryshe, më datë 5  shkurt punëtorët teknik të 15 shkollave fillore dhe të mesme të Prishtinës kanë hyrë në grevë.

Rreth 120 punëtorë teknik që janë nën menaxhim privat po kërkojnë rritje të pagave dhe kthimin si punëtorë të komunës.

Punëtorët teknik që menaxhohen nga privati kanë thënë se marrin gjysmë rroge më pak se kolegët e tyre që janë nën menaxhimin e komunës.

Grevistët kërkonin që pagat e tyre të jenë sikurse të punëtorëve teknik të Komunës së Prishtinës, 405 euro. Grevistët bën të ditur se komuna u ka borxh disa paga.