Arkiv -Enver Sekiraqa - Foto: KALLXO.com
Gjykata e dënon Enver Sekiraqën
Plot 12 vjet pas vrasjes së Triumf Rizës, Gjykata në Prishtinë e shpalli sot për herë të dytë fajtor Enver Sekiraqën për nxitjen e kësaj vrasje.
Si rrjedhojë, Gjykata i shqiptoi dënim prej 30 vjet burg.
Vet Sekiraqa nuk ishte i pranishëm në shpalljen e gjykimit.
Enver Sekiraqa sipas aktakuzës ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës me datën 30 gusht 2007.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë me datën 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.
Prokurori i rastit Haki Gecaj, në fjalën përfundimtare kërkoi nga Gjykata që Enver Sekiraqën ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë një dënim shembullor i cili do të jetë mësim për të gjithë ata që do të veprojnë si akuzuari Enver Sekiraqa, ndërsa mbrojtja e Sekraqës refuzoi këto pretendime duke kërkuar me këmngulësi pafajësinë e Sekiraqës.
Për vrasjen e Triumfi Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënime me burgim ndërsa dënimi më i lartë i është shqiptuar Arben Berishës si ekzekutor i kësaj vrasje me plot 35 vite burg.
Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.