Asher Abehsera, drejtor i Affinity Global Development (majtas), ministri serb i financës Sinisa Mali (qendër) dhe ministri serb i ndërtimit Goran Vesiç (djathtas) gjatë nënshkrimit në Beograd, Serbi, 16 maj. Foto: Qeveria e Serbisë.

Kompania e dhëndrit të Trump do të rinovojë ish-shtabin ushtarak të bombarduar nga NATO në Serbi

Kompania e investimeve e dhëndrit të ish-presidentit amerikan do të “rivitalizojë” ish-shtabin ushtarak jugosllav në Beograd, të goditur gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999, dhe do të ndërtojë një memorial për viktimat e bombardimeve.

Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesiç, ka nënshkruar një kontratë me drejtorin e Affinity Global Development, Asher Abehsera, për rivitalizimin e ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Beograd, të shkatërruar nga bombardimet e NATO-s në Jugosllavi në 1999.

Affinity Partners është firma investuese e Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Ajo ka 2 miliardë dollarë financim nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, mes investitorëve të tjerë të huaj, kanë raportuar mediat.

“Ne jemi shumë të emocionuar”, raportoi New York Times të thoshte Kushner në një intervistë në mars në lidhje me projektet e planifikuara në Beograd dhe Shqipëri. “Nuk i kemi finalizuar këto marrëveshje, kështu që ato mund të mos ndodhin, por kemi punuar shumë dhe jemi shumë afër.”

Ish-Shtabi Ushtarak është në qendër të qytetit të Beogradit, pikërisht përballë ndërtesës së qeverisë.

Sipas njoftimit për shtyp të ministrisë, Vesiç tha se qeveria kishte dhënë me qira vendin për 99 vjet, por nuk specifikoi se me çfarë çmimi.

“Investitori ka marrë përsipër detyrimin që nëse nuk e kryen investimin brenda afatit të përcaktuar në kontratë, do t’ia kthejë tokën dhe atë që do të ndërtohet deri atëherë Republikës së Serbisë pa kompensim”, tha Vesiç pas nënshkrimit të marrëveshjes të mërkurën.

Në njoftimin për shtyp thuhet se investitori do të jetë gjithashtu i detyruar të ndërtojë një kompleks përkujtimor “kushtuar për të gjitha viktimat e agresionit të NATO-s” nga viti 1999.

“Kompleksi memorial do të financohet nga investitorët dhe do të jetë në pronësi të Republikës së Serbisë, e cila do të vendosë për përmbajtjen programore të kompleksit dhe do ta menaxhojë atë”, tha Vesiç.

Dizajni i kompleksit memorial do të përcaktohet në një konkurs ndërkombëtar arkitekturor.

Abehsera tha se projekti përfshin një aspekt unik bashkëpunimi në të cilin arkitektë dhe projektues serbë do të ftohen të paraqesin idetë e tyre për Qendrën Përkujtimore.

Kushner konfirmoi më parë planet në X (ish-Twitter) se do të investonte në këtë kompleks si dhe në dy lokacione në bregdetin shqiptar. I njëjti raportim i New York Times në mars thoshte se Kushner po punonte për marrëveshjet ballkanike me Richard Grenell, i cili shërbeu për një kohë të shkurtër si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare nën presidencën e Trump dhe gjithashtu si ambasador në Gjermani dhe si i dërguar i posaçëm në Ballkan.

Sipas NYT, investimi në Beograd do të jetë një hotel luksoz dhe 1,500 njësi banimi dhe një muze. Ajo gjithashtu raportoi se vetë Trump kishte treguar interes për të punuar me këtë kompleks në vitin 2013, por Kushner pretendoi se nuk e dinte për këtë.

Shtabi i ish-Ushtrisë Jugosllave u dëmtua rëndë në dy sulme ajrore të NATO-s të vitit 1999, midis 29 dhe 30 prillit dhe midis 7 dhe 8 majit. Një pjesë e godinave u shkatërruan midis 2014 dhe 2017 për arsye sigurie.

Informacioni se një kompani amerikane do të marrë shtabin shkatërruar u zbulua për herë të parë nga opozita serbe në mars, duke tërhequr kritika për shkak të dyshimeve për korrupsion, por edhe për shkak të vlerës arkitekturore dhe kulturore të shtabit të shkatërruar. U pretendua se toka në të cilën ndodhet shtabi po jepej me qira pa pagesë.

Ndërtesa u ndërtua në vitin 1965 dhe u projektuar nga arkitekti i famshëm serb Nikola Dobroviç./Reporter.al