Scholzi, Macroni dhe Meloni letër Kurtit: Ka rrezik se pa Asociacion, Kosova s'ka përkrahje në KiE

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i kanë dërguar letër kryeministrit Albin Kurti të mërkurën lidhur me rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë letër të përbashkët që Kurtit i është kthyer një ditë më parë, kancelari gjerman, kryeministrja e Italisë dhe presidenti i Francës, kanë thënë se ka rrezik që Kosova s’do të ketë përkrahjen e nevojshme për anëtarësim, nëse nuk s’do të nis me themelimin e Asociacionit.

Në letër theksohet se “ekziston rrezik real që pa progres vendimtar të Asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

Thuhet se propozimi i bërë nga emisari për dialogun Miroslav Lajçak, është solid dhe i hartuar me kujdes “me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë”.

“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit dhe rrezikojnë të minojnë më tej Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Së pari, projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht ‘propozim zotërinjsh’. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Si e tillë, gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se nuk duam një Kosovë jofunksionale”, thuhet mes të tjerash.

Më tej theksohet se Asociacioni nuk është në asnjë mënyrë i krahasueshëm me Republikën Sërpska.

“Së dyti, dorëzimi i këtij drafti tek ekspertët e Këshillit të Evropës nuk do të përbënte hap të domosdoshëm vendimtar pasi opinioni i tyre nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm. Kjo mund të arrihet vetëm duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në mënyrë që të jetë e pranueshme për Gjykatën. Siç u sqarua me Brukselin, nuk ka pengesa ligjore në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për marrjen e këtij hapi. Së treti, propozimi juaj për përgatitjen e një drafti të ri në konsultim me kryetarët apo zëvendësit aktualë të komunave nuk është as i përshtatshëm dhe as i zbatueshëm për shkak të rrethanave aktuale në këto komuna”, thuhet më tej në përgjigje

Kjo letër është dërguar një ditë para letrës së Qeverisë drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ku thuhet se Qeveria po përgatitë një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

MPJ: Letra e Scholzit, Macronit dhe Melonit s’ka të bëjë fare me atë të Gërvallës drejtuar KiE-së

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar lidhur me letrën e publikuar së fundmi që kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni ia kanë kthyer Kurtit, ku përmendet anëtarësimi i Kosovës në KiE.

Në përgjigjen dhënë KOHËS, këshilltari për media në MPJD, Leutrim Sahiti, ka thënë se letra nuk ka të bëjë “fare me letrën që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka dërguar Këshillit të Evropës”.

Ai tutje ka thënë se letra është përgjigje ndaj një komunikimi të para disa javësh mes kryeministrit Kurti dhe kancelarit gjerman, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i kanë dërguar letër kryeministrit Albin Kurti të mërkurën lidhur me rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë letër të përbashkët që Kurtit i është kthyer një ditë më parë, kancelari gjerman, kryeministrja e Italisë dhe presidenti i Francës, kanë thënë se nuk do të pranohet kërkesa e Kurtit, nëse nuk do të ketë Asociacion.

Kjo letër është dërguar një ditë para letrës së Qeverisë drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ku thuhet se Qeveria po përgatitë një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit./Koha.net